Sigurimi i mbrojtjes sociale për çdo qytetar në vështirësi dhe garantimi i një jetese me dinjitet përgjatë ciklit të jetës dhe në një mjedis mundësues dhe fuqizues, është vizioni i Strategjisë Kombëtare të Mbrojtjes Sociale 2024-2030 miratuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Në prezantimin sot të këtij dokumenti strategjik merrnin pjesë Koordinatorja e Përhershme e OKB-së në Shqipëri, Fiona Mccluney, ambasadorja e Zvicrës, Ruth Huber, ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, përfaqësuesi i Bankës Botërore në Shqipëri, Emanuel Salinas si dhe Murat Sahin, përfaqësues i UNICEF në vendin tonë.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu theksoi se përmes këtij dokumenti themeltar për të ardhmen e mbrojtjes sociale hidhet një gur i ri themeli drejt vizionit të një vendi ku frytet e zhvillimit i ndajnë të gjithë.
Koçiu u shpreh se kjo strategji është një udhërrëfyes që bashkërendon përpjekjet ndërinstitucionale në fushën e mirëqenies sociale, me synimin që askush të mos mbetet pas.
“Ambicia jonë është të krijojmë premisat ku të gjithë të jenë qytetarë të barabartë që në pikënisje, pa dallim gjinie, krahine, bindje politike, statusi ekonomik, social, orientimi seksual, etj”, tha ministrja.
Sipas saj, ky dokument do të shërbejë për zbutjen e varfërisë si dhe fuqizimin e mëtejshëm social, shoqëror, ekonomik dhe politik të gruas.
“Strategjia e re Kombëtare e Mbrojtjes Sociale 2024 – 2030 është ambicioze dhe njëkohësisht sjell disa risi të cilat do të kontribuojnë drejt vizionit tonë të përbashkët për mbrojtje sociale gjithëpërfshirëse dhe me model të integruar të pagesave dhe shërbimeve të kujdesit social përgjatë ciklit të jetës. Ofrimi i këtij modeli do të ketë si synim fuqizimin drejt tregut të punës së familjes dhe përkujdesin ndaj fëmijëve”, nënvizoi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Një tjetër vizion i këtij dokumenti strategjik është mbrojtje sociale të përgjegjshme ndaj fëmijëve.
Për këtë, ministrja Koçiu nënvizoi se “synimi ynë është të ndërtojmë një model të aksesit dhe ofrimit të integruar të shërbimeve sipas modelit Evropian të Garancisë së Fëmijëve. Njëkohësisht, modelet e përkujdesit ndaj fëmijëve dhe në veçanti ndaj fëmijëve me aftësi ndryshe, do synojnë shërbimet në familje, mbështetje për prindërit dhe transformim të qendrave rezidenciale drejt modeleve alternative të përkujdesit”.
Nëpërmjet kësaj strategjie synohet gjithashtu konsolidimi i një reforme gjithëpërfshirëse për vlerësimin e aftësisë kufizuar.
Ministrja Koçiu deklaroi se Fondi Social do të shërbejë si një instrument solid për të zgjeruar apo ngritur shërbime të reja territoriale për rehabilitimin e fëmijëve edhe në zonat e thella rurale.
Profesionalizimi i forcës së punës drejt standardeve të ofrimit cilësor të shërbimeve, akreditimi dhe licencimi, vuri në dukje Koçiu, do synojnë të ofrojnë një mundësi për profesionistët që të përmirësohen vazhdimisht në ofrimin e shërbimeve.
Ministrja shtoi se do të krijojnë një model të zhvillimit në karrierë dhe edukimit të vazhdueshëm për të tërhequr profesionistët e duhur dhe garantuar një perspektivë për zhvillimin në karrierë. Sipas saj, ofrimi i shërbimeve nga profesionistë, në të gjitha shërbimet komunitare e territoriale krijon standardin e cilësisë dhe kujdesit maksimal për çdo përfitues.
“Pa dyshim, gjërat nuk janë rozë as në Europë, aq më pak në Shqipëri. Por, një Shqipëri Sociale, një Shqipëri solidare, një Shqipëri që i përket të gjithëve, sot më shumë se kurrë, është vërtet e mundur”, tha Koçiu.
Strategjia mbështetet në dy shtylla strategjike: Zbutja e varfërisë për çdo individ në nevojë dhe përmirësimi i jetesës për personat me Aftësi të Kufizuara përmes mbështetjes me skemat financiare dhe përfitimeve të përshtatshme, të përgjegjshme gjinore, transparente, të afta për përballimin e rreziqeve e krizave si dhe zgjerimi i shërbimeve sociale të integruara, të aksesueshme, cilësore dhe të përgjegjshme gjinore, si dhe avancimi i deinstitucionalizimit, në partneritet me pushtetin vendor dhe aktorët e tjerë.
Strategjia e re është ndërtuar mbi prioritetet e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim II -2030 dhe është në përputhje me Shtyllën Evropiane për të Drejtat Sociale, Kartën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së.
Strategjia u hartua përmes një procesi të hapur konsultimi dhe me pjesëmarrje të gjerë me partnerët strategjik, institucionet e linjës, shoqërinë civile dhe agjencitë zbatuese. Një vëmendje e posaçme iu kushtua konsultimit me të rinjtë për të promovuar angazhimin e tyre në çështjet që i shqetësojnë si dhe në promovimin e strategjisë dhe prioriteteve të saj./ata