Të dhënat e dala nga Censi 2023 tregojnë se 96.8 % e popullsisë së moshës 15 vjeç e lart kanë përfunduar ose janë duke ndjekur shkollën, 97.2 % meshkuj dhe 96.4 % femra.
Sipas Censit, më shumë se gjysma e popullsisë, afro 55% ka përfunduar arsimin e mesëm ose të lartë. Meshkujt përfaqësojnë 57.9% dhe femrat 52.1% të këtij grupi.
Përkatësisht, arsimi i mesëm i ulët është përfunduar nga 38.8% e popullsisë, dhe 34.8% kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë, i cili konsiderohet si niveli minimal që ndihmon individët të kenë një pjesëmarrje të plotë në shoqëri.
Përqindja e popullsisë që nuk ka ndjekur asnjëherë shkollën ka rënë nga 4.1% në vitin 2011 në 3.2% në vitin 2023.
Vetëm 0.6% e popullsisë 15 vjeç e lart nuk ka përfunduar asnjë nivel arsimor. Në harkun kohor të 12 viteve vëmë re se ka një rritje të dukshme në përqindjen e popullsisë me arsim të lartë (universitar dhe pasuniversitar), nga 10.7% në vitin 2011 në 20.2% në vitin 2023.
Ndër ata me arsim të lartë, 55.7% janë femra dhe 44.3% janë meshkuj. Përqindja e femrave me arsim të lartë ka qenë në rritje të vazhdueshme, nga 41.1% në vitin 2001 në 51.% në vitin 2011 dhe 55.7% në vitin 2023.
Në grupmoshën 25-34 vjeç, 43.2% kanë përfunduar arsimin universitar dhe pasuniversitar, duke u krahasuar pothuajse në të njëjtin nivel me popullsinë e BE-së të së njëjtës grupmoshë (43.1%) dhe vetëm 1.8 pikë përqindje më pak se targeti i BE-së prej 45% për vitin 2030.
Për të njëjtën grupmoshë, 32.9% kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë dhe 23.7% kanë përfunduar arsimin bazë. Ndër të arsimuarit që kanë ndjekur studimet universitare rezulton se dominon gjinia femërore me 53%./ata