Censi 2023 numëroi 1.082.529 banesa të zakonshme. Shtëpitë individuale përfaqësonin 47 % të këtyre banesave, ndërsa 39.9 % e tyre janë pallate.
Një kategori e vogël e banesave janë banesa pjesërisht të veçuara, 8.1 % dhe shtëpi në rend tarracor 5 %.
Në cens u mblodh informacion mbi numrin e banesave të zakonshme dhe karakteristikat e tyre, duke përfshirë shërbimet bazë, sipërfaqen e përdorur për banim dhe periudhën e ndërtimit.
Nga numri gjithsej i banesave të zakonshme, në momentin e censit rezultuan 726.325 ose 67.1 % banesa të banuara, duke vlerësuar 32.9 % banesa të zakonshme të pabanuara.
Shkalla e banesave të zakonshme të pabanuara varionte nga 24.3 % për banesat pjesërisht të veçuara në 39.4 % për banesat në pallate, shtëpitë individuale dhe ato në rend tarracor ishin përkatësisht secila 29.2 dhe 29.8 %.
Banesat e zakonshme të banuara përfshijnë 755.531 njësi ekonomike familjare dhe 2.384.418 popullsi vendbanuese.
36.4 % e banesave të zakonshme ishin ndërtuar në periudhën nga viti 2001 deri në 2023, dhe në periudhën 20-vjeçare 1981-2000, ishin ndërtuar 37.5 % e banesave, ndërkaq rreth një e katërta ose 26.1 % ishin ndërtuar para vitit 1981.
Për banesat e zakonshme të banuara, sipërfaqja e përdorur ishte një ndër informacionet e mbledhura e cila do të shërbejë për të analizuar “mbipopullimin e banesave”. Pothuajse gjysma e këtyre banesave (47.1 %) kishte një sipërfaqe të përdorur prej 40-69 m2 dhe rreth një e katërta (23.7 %) kishin një hapësirë të dobishme prej 70-99 m2.
Censi vlerësoi se 86.4 % e banesave të zakonshme të banuara kishin ujë të rrjedhshëm në banesë ose në ndërtesë. Pothuajse të gjitha banesat e zakonshme të banuara (96.2 %) kishin tualet brenda banesës ose brenda ndërtesës. Një përqindje e vogël (më pak se 0.1 %) të banesave të numëruara në Cens ishin banesa jo të zakonshme. Në këto njësi të tjera banimi jetonin rreth 400 NjEF dhe 1.4 mijë vendbanues të zakonshëm./ata