Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për përcaktimin e kushteve dhe procedurave për dhënien e miratimit për ndërtimin dhe përdorimin e tubacioneve e të infrastrukturës së sistemeve të gazit natyror.

Qëllimi i këtyre rregullave është të përcaktojnë procedurat dhe kriteret për aplikimin, vlerësimin dhe dhënien e një miratimi për ndërtimin e përdorimin e tubacioneve dhe të infrastrukturës përkatëse për transmetimin e shpërndarjen e gazit natyror ose për lidhjen e sistemit shqiptar të gazit natyror me sistemet fqinje, të instalimeve të gazit natyror të lëngëzuar (GNL-së), të depozitave nëntokësore të gazit natyror, si dhe të linjave direkte.

Sipas vendimit, çdo subjekt i themeluar në formën e shoqërisë aksionare, si dhe çdo bashkim i shoqërive, që zhvillon veprimtari tregtare sipas legjislacionit shqiptar, mund të aplikojë për marrjen e një miratimi për ndërtimin e përdorimin e infrastrukturës së sistemeve të gazit.

Kjo, në përputhje me rregullat që përcaktohen në këtë vendim, si dhe duke respektuar edhe kriteret e mosdiskriminimit, të trajtimit të barabartë e të transparencës.

Po ashtu, çdo subjekt i huaj, që kërkon të paraqesë kërkesën për marrjen e një miratimi, sipas këtyre rregullave, duhet të krijojë në Shqipëri një filial, në formën e shoqërisë aksionare ose bashkimi të shoqërive.

Kërkesa për pajisjen me miratim për ndërtimin dhe përdorimin e infrastrukturës së sistemeve të gazit paraqitet në ministrinë përgjegjëse për hidrokarburet.

Vendimi parashikon se për vlerësimin e kërkesave dhe të dokumentacionit shoqërues, të paraqitura nga subjektet e interesuara krijohet një komision vlerësimi ad hoc./ata