Të gjitha shërbimet që ofrohen nga Qendra Kombëtare e Biznesit për individë dhe sipërmarrje tashmë do të ofrohen online.

Nisma për kalimin e aplikimeve vetëm online është edhe në kuadër të masave për zbatimin e programit të Qeverisë për prioritetet e mirëqeverisjes dhe luftës kundër korrupsionit, si edhe të rritjes së transparencës së mëtejshme lidhur me ndryshimet e ortakut dhe/ose strukturës së ortakërisë.

Qendra Kombëtare e Biznesit ka nxjerrë për konsultim publik ndryshimet në projektligjin “Për regjistrimin e biznesit”, të cilat synojnë lehtësimin e procedurave dhe shkurtimin e kohës për marrjen e shërbimeve.

“Ndryshimet në ligjin “Për regjistrimin e biznesit” kanë për qëllim përmirësimin e procesit të ofrimit të shërbimeve publike online, për ato shërbime publike të cilat ofrohen nga QKB-ja, duke e mundësuar ofrimin e këtyre shërbimeve vetëm online nëpërmjet portalit e-albania, shkurtimin e kohës dhe procedurave si dhe radhët e pritjes për qytetarët, duke shkurtuar kohën e marrjes së shërbimeve, duke garantuar cilësinë dhe shpejtësinë e ofrimit të shërbimeve të QKB-së, duke respektuar parimet e ligjshmërisë, aksesit, efikasistetit, barazisë, bashkëpunimit”, citohet relacioni i p/ligjit.

Po ashtu, është hequr tarifa për kryerjen e aplikimit, është hequr pagesa për kryerjen e aplikimit për korigjimin e gabimeve dhe është rregulluar mënyra e lëshimit të certifikatës për rezervimin e emrit. Edhe ekstraktet do të lëshohen vetëm në format elektronik dhe pa pagesë nëpërmjet sportelit elektronik./ata