Ministria e Drejtësisë ka nxjerrë për konsultim publik Strategjinë Kombëtare për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit për periudhën 2024-2030.
Ky dokument është produkt i një procesi të gjatë koordinimi dhe bashkëpunimi ndërinstitucional, duke përfshirë praktikat më të mira të fushës dhe nevojat e evidentuara nga institucionet e përfshira.
Qëllimi kryesor i Strategjisë është krijimi i një ekonomie dinamike dhe një sistemi financiar të sigurtë dhe të integruar, duke përmirësuar dhe modernizuar regjimin kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Strategjia synon garantimin e sigurisë së shtetasve shqiptarë dhe respektimin e të drejtave dhe lirive individuale. Për të arritur këtë qëllim, janë identifikuar katër prioritete kryesore: Përmirësimi i politikbërjes dhe koordinimit. Rritja e efektivitetit operacional në parandalim. Përmirësimi i efikasitetit operacional të organeve ligjzbatuese dhe agjencive të tjera. Përdorimi dhe shfrytëzimi i inovacioneve teknologjike duke zvogëluar rreziqet.
Strategjia adreson masat specifike për arritjen e qëllimeve dhe prioriteteve të saj, duke marrë parasysh edhe harmonizimin me dokumente të tjerë strategjikë kombëtarë. Në dokumentin udhëzues për formulimin e strategjisë, janë përfshirë dhe objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm, si dhe politikat për nxitjen e ritmeve të zhvillimit ekonomik të vendit, sigurimin e mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve dhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Plani i veprimit i Strategjisë përfshin një seri masash për periudhën 2024-2027, duke përcaktuar objektivat specifike dhe treguesit strategjikë. Masat janë rezultat i një procesi të përbashkët dhe dakorduar nga autoritetet publike dhe sektori privat, të cilët janë të përfshirë në luftën dhe parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Kjo strategji pritet te perforcoje përpjekjet e autoriteteve për të penguar kriminelët dhe kërcënimet e sigurisë kombëtare që të aksesojnë në sistemin financiar të vendit, duke siguruar kështu një sistem financiar të qëndrueshëm dhe të besueshëm për të gjithë qytetarët shqiptarë./ata