Disa palestinezë mbrëmë u vranë dhe u plagosën nga bombardimet izraelite teksa po largoheshin nga zonat lindore të Khan Younisit pas urdhrit të evakuimit nga ushtria izraelite.

Agjencia zyrtare palestineze e lajmeve Wafa citoi burime lokale që thanë se ushtria izraelite goditi zonat lindore të Khan Younisit me artileri të rëndë, duke i detyruar palestinezët të largoheshin nga zonat e tyre.

Ushtria izraelite detyroi të shpërngulen mijëra palestinezë të strehuar në tenda rreth Spitalit Evropian të Gazës, në pjesën lindore të Khan Younis.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza ende nuk e ka konfirmuar numrin e viktimave.

Wafa gjithashtu njoftoi se ushtria izraelite vazhdoi bombardimet ajrore dhe të artilerisë në të gjithë Rripin e Gazës, duke përfshirë granatime të rënda në lagjen Shejaiya, qytetin lindor të Gazës dhe kampin e refugjatëve Nuseirat në Gazën qendrore.

Burimet mjekësore mbrëmë vonë për Anadolu thane se ekipet mjekësore zhvendosën disa pacientë dhe persona të plagosur nga Spitali Evropian i Gazës në Spitalin Nasser në qendër të qytetit Khan Younis.

Ata shtuan se ekipet teknike të spitalit gjithashtu zhvendosën disa pajisje mjekësore nga frika se do të dëmtoheshin nëse ushtria izraelite do të sulmonte spitalin.

Ushtria izraelite dje urdhëroi banorët e pjesës lindore të qytetit Khan Younis të largoheshin menjëherë, duke pretenduar se zona është bërë një "zonë e rrezikshme luftimi".

Ushtria u kërkoi njerëzve të shkonin në pjesët që njihen si "zona humanitare" në pjesën perëndimore të qytetit.

Duke shkelur rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm, Izraeli është përballur me kundërshtimin ndërkombëtar në mes të ofensivës brutale të vazhdueshme në Gaza që nga sulmi i 7 tetorit nga grupi palestinez Hamas.

Të paktën 37.900 palestinezë janë vrarë që atëherë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe mbi 87 mijë të tjerë janë plagosur. Mbi tetë muaj pas luftës izraelite, pjesë të gjera të Gazës janë kthyer në gërmadha mes një bllokade shkatërruese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, vendimi i fundit i së cilës e urdhëroi Tel Avivin të ndalojë menjëherë operacionin ushtarak në qytetin jugor Rafah, ku mbi një milion palestinezë kanë kërkuar strehim nga lufta përpara se qyteti të pushtohej më 6 maj./aa