Shqipërisë i duhen 59 vite që të ketë sërish 2.8 milionë banorë. Kjo bazuar te ecuria e shtesës natyrore të popullsisë së 12 viteve të fundit, me kushtin që në gati 6 dekadat e ardhme nga vendi të mos largohet askush. Në harkun e viteve 2012-2023, shtesa natyrore popullsisë ka qenë mesatarisht 7 mijë e 135 lindje më shumë se vdekje në vit.
Për të pasur 420 mijë banorët që mungojnë nga 2011-ta, vendi duhet të presë vitin 2083. “Ajo që ne shohim si alarmante për momentin është kjo shifër e cila na tregon se duhet të reflektojmë për mënyrën se si ne po trajtojmë qytetarët e këtij vendi, për mënyrën se si ne ju ofrojmë atyre mundësinë për të qëndruar apo u larguar nga vendi”, shprehet Doralda Tanellari, studiuese.
Edhe më shumë koha do i duhej veçanërisht Fierit, qark i cili në harkun e 12 viteve ka humbur gati 70 mijë banorë. Korça, Shkodra, Durrësi, Lezha dhe Dibra janë qarqet e tjerë që do duan nga 40 e deri në 60 vite për të pasur sërish të njëjtin numër banorësh si në 2011-tën.
“Unë mendoj se çelësi i ndryshimit është mbështetja e të rinjve. Duhet të ndiqen politika të forta që e para kanë të bëjnë me mirë-arsimin e atyre, marrjen e një profesioni që lidhet me nevojat e tregut të punës dhe garantimi i aksesit për të blerë shtëpi etj”, thotë studiuesja.
Në dekadën e tretë të tranzicionit 2011-2023, pritej që vendi të kishte kaluar emergjencën pas regjimit komunist dhe të kishte hyrë në një fazë zhvillimi të qëndrueshme, por e kundërta ka ndodhur. Në fund të vitit të shkuar ra në nivelet e viteve ’70, rreth pesë dekada më parë. Po a mund të rikthehen më ata që kanë ikur?
“Kjo është e vështirë dhe gati e pamundur. Kjo pasi ata që kanë ikur janë mësuar me një tjetër stil jetese dhe nuk besoj se do pranon të riktheheshin e të gjenin të njëjtat kushte prej të cilave ikën”, tha Tanellari.
Sipas censit të popullsisë dhe banesave në Shqipëri jetojnë pak më shumë se 2.4 milionë qytetarë. Në krahasim me vitin 2011, numri i popullsisë është pakësuar me gati 420 mijë apo 14.9 për qind./Tema