Në Shqipëri është organizuar ceremonia e diplomimit të studentëve të Universitetit të New Yorkut në Tiranë (UNYT), universiteti i Fondacionit Turk Maarif, për vitin akademik 2023-2024.
Në ceremoninë e organizuar në ambientet e Pallatit të Kongreseve në Tiranë ishin të pranishëm ministri i Drejtësisë i Shqipërisë, Ulsi Manja, ambasadori i Türkiyes në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, zv.ministri turk i Arsimit Kombëtar, Ömer Faruk Yelkenci, kryetari i Fondacionit Turk Maarif, prof. dr. Birol Akgün, drejtori i zyrës së Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri, Mesut Özbaysar, koordinatori i TIKA-s në Tiranë, Mustafa Ata, nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Keti Luarasi, përfaqësues të tjerë të institucioneve të ndryshme turke, drejtues të universitetit, pedagogë, studentë dhe prindër.
Ministri Manja në fjalën e tij në ceremoni u shpreh se Universiteti i New Yorkut në Tiranë është gur themeli i rëndësishëm i marrëdhënieve sipas tij të shkëlqyera të miqësisë ndërmjet Türkiyes dhe Shqipërisë.
"Shqipëria ka nevojë për ju, ka nevojë për juristë të mirë, ekonomistë të zotë, financierë, arkitektë, politologë, psikologë dhe sigurisht profesionistë të shkencave kompjuterike. Ju sot duhet të ndiheni krenarë që po diplomoheni nga një prej universiteteve më prestigjioze të vendit, siç është Universiteti i Neë Yorkut në Tiranë", tha Manja, duke iu drejtuar studentëve.
Manja theksoi se shoqëria ndodhet përpara sfidave të mëdha dhe shtoi se vetëm të rinjtë, brezi që diplomohet sonte mund ta ndryshojë atë, sipad tij duke besuar fort tek drejtësia dhe duke kontribuar për shtetin modern.
Duke iu drejtuar profesorëve dhe akademikëve, Manja tha se: "Misioni juaj është i shenjtë dhe ju jeni përgjegjës për rritjen e profesionistëve të rinj me integritet, ndaj sonte është kurorëzimi dhe kremtimi i punës tuaj të palodhur kur studentët diplomohen dhe do të jenë gati për t'u futur në tregun e punës".
Zv.ministri turk Yelkenci në fjalën e tij tha se Universitetin e New Yorkut në Tiranë e shikon si një vlerë të përbashkët të Türkiyes dhe Shqipërisë dhe si një universitet që përmbush standardet botërore.
"Bashkëpunimet tona në fushat politike, ekonomike, sociale dhe arsimore kanë forcuar dhe do vazhdojnë të forcojnë lidhjet tona. Marrëdhëniet mes Türkiyes dhe Shqipërisë shënuan 100-vjetorin e tyre në vitin 2023. Shqipëria është fqinji ynë i zemrës", tha Yelkenci.
Ai u shpreh se historia e përbashkët e rrënjosur thellë dhe lidhjet njerëzore formojnë themelin e fortë të miqësisë midis dy kombeve.
Yelkenci theksoi se Türkiye ka ndërmarrë nisma të rëndësishme në Shqipëri për të forcuar lidhjet arsimore dhe shtoi se Fondacioni Maarif ofron një mjedis cilësor në fushën e arsimit dhe mundësi shumë të mira për studentët.
Kryetari i Fondacionit Turk Maarif, Akgün, në fjalën e tij tha se janë të përkushtuar për të nxitur marrëdhëniet midis Türkiyes dhe vendit vëllazëror Shqipërisë.
"Fondacioni është një markë globale e arsimit me më shumë se 400 institucione arsimore jashtë vendit dhe mbi 53.000 studentë në 52 vende, në gjeografi të ndryshme. Ne krenohemi me arritjet dhe kontributet tona në botën e arsimit ndërkombëtar", u shpreh Akgün.
Akgün shtoi se kanë plane ambicioze që sipas tij do ta lartësojnë më tej institucionin në periudhën e ardhshme.
Rektori i UNYT-së, Ali Güneş, tha se e ka pritur me padurim këtë moment, pasi sipas tij është fjalimi tiji parë në ceremoni diplomimi si rektor i UNYT-së
“Fondacioni Maarif ka investuar jashtëzakonisht shumë jo vetëm në infrastrukturën e universitetit me dy kampuse model, programe të reja, klasa moderne, laboratorë, por edhe në mësimdhënie dhe kërkimin shkencor dhe staf akademik ndërkombëtar”, theksoi Güneş.
Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Luarasi, u shpreh se një pjesë e mirë e punonjësve të Bashkisë së Tiranës janë studentë që kanë mbaruar universitetin kaq prestigjioz si UNYT. "Nuk ka gjë më të bukur se sa kur shikon që qyteti zhvillohet me mendje kaq të bukura", u shpreh Luarasi.
Ndërkohë, fjalë përshëndetëse mbajtën edhe përfaqësues të tjerë të universitetit, përfaqësues nga Empire State University, pedagogë dhe studentë, ndërkohë gjatë ceremonisë u shfaq edhe një dokumentar rreth UNYT-së./aa