“Lucia Nadin dhe shqiptarët në Venedik” ishte dokumentari historik i Ilir Yzeirit, i cili pati premierën mbrëmjen e djeshme në kinema “Millennium”, në praninë e Kryeministrit Edi Rama.
Dokumentari i bazuar në hulumtimet e albanologes Luçia Nadin, nxjerr në pah të shkuarën evropiane të shqiptarëve duke vlerësuar rolin dhe qëndresën e tyre kundër pushtimit osman në mbrojtje tē trojeve dhe të krishtërimit evropian.
Në zbulimet e Lucia Nadin përfshihet edhe e vetmja kopje origjinale e “Statuti di Scutari” (Statutet e Shkodrës).
Kontributi i Lucia Nadin konsiderohet mjaft i madh për Shqipërinë. Dokumentari dedikuar asaj, nis me një pamje të rrallë, atë të “Rrethimit të parë të Shkodrës” në Pallatin Dukal, duke treguar kështu vëmendjen e pashoqe dhe rëndësinë që kishte Shqipëria për Venedikun.
Dokumentari është ndërtuar dhe mbështetur në veprat e Lucia Nadin: “Shqiptarët në Venedik-Emigrim e integrim”, “Shqipëria e rigjetur”, “Statutet e Shkodrës”, “Figura e Skënderbeut në jetën kulturore e artistike të Venedikut” e plot studime të tjera. Ajo që vërehet nga Nadin është se Shqipëria mesjetare ishte në fakt një Shqipëri evropiane, një Shqipëri të cilën ajo e ka futur në hartën e atyre vendeve që i dhanë shumë historisë politike evropiane.
Dokumentari u realizua me mbështetjen e Këshillit të Ministrave./ata