Nxënësit e shkollave Maarif kanë shënuar sukses në edicionin e gjashtë të garës së robotikës Kosova Makers League (KML).

Siç njofton administrata e shkollës, në mesin e 100 grupeve finalistë, nxënësit e shkollave Maarif kanë arritur suksese të mëdha në garat e KML Open.

“Nxënësit e degës sonë të Prizrenit (cikli 6-9) fituan vendin e parë në Prizren dhe renditën në vend të katërt në gjithë Kosovën. Ndërkohë, nxënësit e degës sonë të Prishtinës (cikli 1-5) arritën vendin e tretë në Prishtinë dhe u renditën në top 15 në nivel shtetëror. Ky sukses pasqyron punën e palodhur dhe potencialin e nxënësve tanë”, shkruan në njoftim.

Mësimdhënësi i Teknologjisë Informative në Maarif, Sylejman Ramadani, konsideroi se kjo garë ishte një nga më transparentet dhe suksesi ishte rezultat i përkushtimit të palodhur të nxënësve.

Në mesin e 400 nxënësve dhe 100 grupeve finaliste, nxënësit e Maarif arritën të jenë të parët në rajonin e Prizrenit.

KML Open është gara më e madhe edukative e robotikës për shkollat fillore dhe institucionet e tjera edukative në Kosovë që përfshijnë fëmijët e grupmoshës 6-15 vjeç. Kjo garë synon që fëmijët të mësojnë programimin grafik në mënyrë argëtuese dhe të zhvillojnë aftësitë e shekullit 21./aa