Prokuroria e Korçës ka kërkuar masa sigurie për 17 punonjës policie e 2 përfaqësues tregtarë, të cilët dyshohen se përfituan mbi 500.000 euro me fatura fiktive në kuadër të operacionit FRONTEX.
Me kërkesë të Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Korçë u pezulluan nga detyra me akuzën për ‘Shpërdorim detyre’ dhe ‘Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike’ 19 persona, 17 prej të cilëve punonjës të policisë së shtetit, dy prej tyre në sektorin e financës në stacionin e Policisë Kufitare në Kapshticë.
Ndërkohë që dy të tjerë, përfaqësues të subjekteve tregtare janë nën hetim për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.
Prokuroria e Korçës njoftoi sot se, në vijim të hetimeve dyvjeçare rezultoi se punonjësit e policisë të cilët shoqëronin në kuadër të sigurimit të kufijve të gjelbër punonjësit e policisë të vendeve të tjera (FRONTEX), kanë kryer falsifikim të faturave tatimore për fjetje në hotel dhe ushqim.
Nga hetimet rezultoi se për shkak të mungesës së dokumentacionit të duhur, punonjës të caktuar me shërbim në kuadër të operacionit FRONTEX, janë rimbursuar padrejtësisht në shumën 574,320 euro, prej të cilave 452,480 euro për punonjës të strukturave të tjera të caktuar me Urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe 121,280 euro për punonjës të DVKM Korçë. Nëpërmjet faturave fiktive, të ndihmuar dhe nga subjektet tregtare, këta punonjës kanë përfituar edhe pse shumica prej tyre të komanduar me shërbim në FRONTEX, janë të akomoduar në shtëpi me qira të cilët nuk e kalojnë vlerën e 200 Euro në muaj për 3-4 persona të akomoduar ose vendbanimin e kishin në Bashkinë Devoll./ata