Tryeza e dialogut të Harkut Opozitar Euroatlantik u mbajt sot me pjesëmarrjen e 24 partive politike opozitare parlamentare dhe joparlamentare.

Partitë e Harkut Opozitar Euroatlantik shprehen në një deklaratë, të shqetësuar për mosavancimin e procesit të Reformës Zgjedhore, ndërkohë që kanë mbetur rreth 10 muaj deri në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 2025-ës.

“Nisur nga nevoja dhe kërkesa e mbarë qytetarëve për t’u mundësuar shqiptarëve të zgjedhin me votën e tyre përfaqësuesit në parlamentin e ardhshëm. Të detyruar nga Kushtetuta dhe nga Gjykata Kushtetuese për t’u mundësuar shqiptarëve jashtë vendit të drejtën e votës kërkohet që me urgjencë dhe pa humbur kohë: Të hartohet dhe miratohet një paketë e plotë reformash ligjore e institucionale për të korrigjuar ndërhyrjet e rënda të ndryshimeve kushtetuese të prillit 2008, të cilat i mohuan të drejtën shqiptarëve të zgjedhin me votë përfaqësuesit e tyre”, thuhet në deklaratë.

Partitë theksojnë se, “për të realizuar këtë mision për demokracinë dhe shtetin e së drejtës, janë emergjencë kombëtare: Vota e lirë, barazia e saj sipas Kushtetutës së Shqipërisë; Listat e hapura; Shqipëria një zonë zgjedhore; Mundësimi i votimit të diasporës; Votimi dhe numërimi elektronik”.

Në deklaratë theksohet se, “Shqipëria, si një vend që synon anëtarësimin në BE, duhet fillimisht të garantojë standartet demokratike të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, ku qytetarët dhe jo krimi e korrupsioni dhe oligarkët të vendosin rezultatin e zgjedhjeve”.

“Mbështesim dhe inkurajojmë organet e drejtësisë të hetojnë dhe çojnë para drejtësisë të gjithë ata që kanë abuzuar më votën e shqiptarëve, për t’i dhënë fund krimit zgjedhor, shitblerjes së votës, përdorimit të fondeve e aseteve publike në zgjedhje dhe përfshirjes se krimit të organizuar në deformimin e vullnetit të zgjedhësve”, theksojnë partitë e Harkut Opozitar Euroatlantik.

“Barazia para ligjit, zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe demokracia funksionale janë parakushte për zhvillimin e vendit dhe integrimin e plotë në BE, si aspirata më e lartë e qytetarëve shqiptarë”, përfundon deklarata e 24 partive të Harkut Opozitar Euroatlantik./ata