Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u mblodh ditën e sotme për të shqyrtuar vlefshmërinë e mandatit të kryetarit të Bashkisë Himarë, Dhionisios (Alfred) Beleri.
Beleri, nëpërmjet avokates së tij, Klodiana Gjyzari kërkoi që të marrë pjesë në këtë procedurë dhe të flasë.
Avokatja e Belerit kërkoi gjatë seancës së vetë Beleri duhet të ishte i pranishëm, ndërsa Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi tha se ende nuk ka përfunduar procesi administrativ.
“Subjekti ka dijeni për fillimin e kësaj procedure administrative. Pyetja që kam unë, e përfaqësoni apo jo Belerin. Nëse jeni ju që e përfaqësoni, keni tagrin të flisni”, tha ai.
Përfaqësuesja e Belerit u shpreh se, “afati nga dje deri sot ka qenë shumë i shkurtër për Belerin. Kam tagër për ta përfaqësuar, po jo për të thënë fjalën e tij të fundit. Afati i dhënë nga KQZ është shumë i shkurtër për t’i dhënë mundësi subjektit të njihet me procesin. Sot duhet të paraqiteshim para KQZ”.
Komisoneri Celibashi vendosi që ta shtyjë seancën nesër në orën 10:30, për të parë mundësinë sesi do të mundësohet fjala e Belerit, nëpërmjet plaftormave online apo fizikisht.
Në seancën e sotme, Komisioneri shqyrtoi edhe rezultatin e verifikimit të Prokurorit të Përgjithshëm, për subjektin vetëdeklarues Gentjan Fiqiri Muça, anëtar në Këshillin e Bashkisë Tiranë, i propozuar nga subjekti zgjedhor “Partia Demokratike e Shqipërisë”, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023. KSHZ konstatoi se Muça nuk është në kushtet e ndalimit të kandidimit/moszgjedhshmërisë.
Gjithashtu, u plotësua vakanca në Këshillin e Bashkisë Vau-Dejës, me kandidatin nga lista shumemërore e subjektit zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë”, Sanilje Reshit Salja”.
Gjithashtu, u miratuan disa ndryshime në udhëzimin nr. 14, datë 9 qershor 202 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, “Për caktimin e kritereve, procedurat për përzgjedhjen dhe emërimin e ekspertëve kontabël të licencuar (audituesve ligjorë) dhe kushtet kontraktuale për auditimin e fondeve të përfituara dhe të shpenzuara nga partitë politike gjatë vitit kalendarik dhe subjektet zgjedhore dhe kandidatët e tyre në fushatën zgjedhore”, i ndryshuar”./ata