Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani, në një postim në rrjetet sociale ka theksuar se Turqia dhe Shqipëria do të thellojnë bashkëpunimin dhe miqësinë mes tyre.
Duke sjellë në vëmendje gjashtë marrëveshjet e nënshkruara këtë të martë në Ankara mes qeverisë shqiptare dhe asaj turke, Hasani nënvizon se partneriteti me Turqinë është strategjik.
“Në takimin e parë të Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë Shqipëri-Turqi në Ankara, ne vlerësuam progresin e shkëlqyer të partneritetit tonë strategjik dhe identifikuam fushat dhe sektorët prioritarë për një bashkëpunim të mëtejshëm akoma edhe më të fortë nën rrethanat gjeopolitike në rajon, në Evropë dhe më gjerë”, shkruan Hasani.
“Si partnerë strategjikë, ne jemi të vendosur të thellojmë marrëdhëniet e shkëlqyera dhe miqësinë e vërtetë mes Shqipërisë dhe Turqisë”, vijon Hasani./ata