Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi sot të ulë normën bazë të interesi, për lekun nga niveli 3.25%, në nivelin 3.0%.
Guvernatori i BSH-së, Gent Sejko u shpreh sot në konferencën për mediet se “Këshilli Mbikëqyrës e gjykoi të nevojshëm një lehtësim të qëndrimit të politikës monetare, duke synuar të krijojë kushte sa më të përshtatshme monetare për respektimin e objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve”. Ai tha se ecuria pozitive e ekonomisë dhe rënia e inflacionit ishin arsyet kryesore të këtij vendimi.
Sipas tij, ky lehtësim ilustron fleksibilitetin e politikës sonë monetare dhe adreson rreziqet afatshkurtra mbi inflacionin që burojnë nga goditjet e ofertës.
Sejko deklaroi se, “kjo lëvizje është në kah të njëjtë me lehtësimin e qëndrimit të politikës monetare të ndërmarrë nga Banka Qendrore Evropiane në muajin qershor, duke parandaluar pasoja të padëshirueshme që ky veprim mund të kishte në kursin e këmbimit”.
Guvernatori bëri të ditur se, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi gjithashtu të ulë normën e interesit të depozitës njëditore, nga niveli 2.25% në nivelin 2.0%, si dhe të ulë normën e interesit të kredisë njëditore, nga niveli 4.25% në nivelin 4.0%./ata