Deputetja e Partisë Demokratike, pjesë e Demokratëve Euroatlantikë, Flutura Açka, tha sot se opozita nuk duhet që për hir të vulës të mos lejojë votën e diasporës.
Deputetja thotë se nëse “vula” është kleringu për të shitur të drejtën e votës së Diasporës, opozita kurrë mos ardhtë në pushtet.
Reagimi i Açkës vjen pas deklaratave të djeshme në Parlament të 2 bashkëkryetarëve të nënkomisionit të Reformës Zgjedhore Gjiknuri e Bylykbashi për votën e Diasporës. Gjiknuri u shpreh se korriku është vendimtar dhe mund të vendoset të votojnë vetëm emigrantët e regjistruar.
Sipas Açkës, E-Albania nuk mund të jetë portali ku emigrantët shqiptarë do duhet të regjistrohen për të votuar.
“Socialistët nuk do t’ia falin Diasporës shpërfilljen që ajo i bëri E-Albania, aparatit të ri të Sigurimit që pushteti ngriti në mënyrën më perfide të mundshme, gjë e vërtetuar tashmë nga patronazhimi i 900 mijë shqiptarëve, të dhënat e të cilëve u shitën në tregun e pistë politik. Opozita shqiptare nuk duhet te lejojë që Diaspora të ndëshkohet me mohimin e votës në zgjedhjet parlamentare 2025 ngaqë nuk është regjistruar te gaveta e pushtetit, pra nuk është markuar nga pushteti”, theksoi Açka.
Sipas saj, “ethja e patronazhit të Diasporës është trendi i ri qeveritar që do t’i imponohet Parlamentit në korrik”.
Açka ngriti pyetjen nëse opozita do të sillet si me ligjin e Amnistisë Penale që u votua nga Rithemelimi.
“Nëse “vula” është kleringu për të shitur të drejtën e votës së Diasporës, Opozita kurrë mos ardhtë në pushtet. Opozita vjen në pushtet vetëm duke bashkuar forcat, dhe një sinergji e madhe është padyshim Diaspora. Mos e tradhëtoni Diasporës me vendime nën tavolinë, siç po mëton ky trafikant politik votash që flet në emër të maxhorancës, e qē për vota në Elbasan po i qeth kreshtat e ullishtave të lashta duke dorovitur me to (ai dhe pushteti i tij) të fortët.
Diaspora nuk është 15 mijë a 18 mijë të regjistruar, por plot 1 milion e gjysëm e kusur shqiptarë që janë pjesë e fateve shqiptare dhe duhet t’i shenjojnē ato edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025”, u shpreh Açka./ata