Kryekomisioneri i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka propozuar sot që komisionet e votimit në nivelin e dytë dhe të tretë të mos përbëhen vetëm nga përfaqësues të partive.

 

Në një postim në rrjetin social “Facebook”, Celibashi thotë se është e domosdoshme ndryshimi i mënyrës së organizimit dhe të funksionimit të komisioneve zgjedhore të niveleve të dyta dhe të treta.

 

Sipas tij, administrimi i zgjedhjeve në këto nivele nga persona të caktuar vetëm nga partitë politike nuk siguron as integritet të procesit dhe as mirëadministrim teknik të tij.

 

“Ndoshta nuk është koha apo edhe rasti, por duhet të sjell në vëmendje tani edhe sidomos pas zgjedhjeve të datës 23 korrik 2023 në Rrogozhinë, domodoshmërinë për ndryshimin e mënyrës së organizimit dhe të funksionimit të komisioneve zgjedhore të niveleve të dyta dhe të treta.

 

Administrimi i zgjedhjeve në këto nivele nga persona të caktuar vetëm nga partitë politike nuk siguron as integritet të procesit dhe as mirë administrim teknik të tij. Shpresoj që partitë politike të vlerësojnë me realizëm dhe pa paragjykime këtë konsideratë të KQZ”, shkruan Celibashi./