Drejtoresha e përgjithshme e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Mimoza Kaçi, paraqiti sot në Kuvend raportin e punës për vitin 2023.

Në fjalën e saj, Kaçi tha se tregjet nën mbikëqyrje ecën në një trajektore të stabilizuar zhvillimi dhe rritje, me tregues të mirë të shëndetit financiar.

“Në fund të vitit 2023, totali i aseteve të tregjeve nën mbikëqyrje shënoi vlerën prej rreth 108 miliardë lekë, me një rritje prej 12% krahasuar me një vit më parë”, theksoi ajo.

Gjithashtu vuri në dukje ajo, edhe tregu i sipërmarrjeve të investimeve kolektive iu kthye trendit rritës pas disa luhatjeve të vërejtura përgjatë vitit 2022, si pasojë e rritjes së normave të interesit dhe luhatjeve në tregjet ndërkombëtare.

“Referuar edhe shifrave për 3-mujorin e parë të këtij viti ka një rritje të këtij tregu si në vlerë asetesh, ashtu edhe sa i përket numrit të anëtarëve pjesëmarrës të fondeve të investimeve”, deklaroi Kaçi.

Në tregjet e kapitaleve, shtoi ajo, konstatohet interes i shtuar për t’u përfshirë në tregun e obligacioneve me ofertë private dhe shuma e obligacioneve arriti në 20 miliardë lekë, me një rritje 46 % krahasuar me 2022-shin.

Gjithashtu, theksoi ajo duhet veçuar si zhvillim i rëndësishëm edhe emetimi për herë të parë i obligacioneve korporative me ofertë publike, si një sinjal pozitiv për zhvillimin e tregut, por edhe inkurajimin për listime të tjera të këtij lloji.

Gjatë vitit 2023, Kaçi tha se u paguan rreth 6.6 miliardë lekë dëme./ata