Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar Indeksin e Çmimeve të Inputeve Bujqësore për tremujorin e dytë 2024.

Sipas ASK-së ka rënë indeksi i përgjithshëm i inputeve në tremujrin e dytë 2024, krahasuar me tremujorin e dytë për vitin 2023.

Ky publikim sipas ASK-së është i bazuar në çmimet e inputeve bujqësore të grumbulluara në Kosovë. Derisa grumbullimi i çmimeve është kryer në barnatoret bujqësore, farmacitë veterinare, në kompani, tregje dhe vende tjera ku çmimet e inputeve bujqësore janë në dispozicion.

“Në TM2 2024, Indeksi i Input 1 ka rënie për(-6.0%,) krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2023. Indeksi i Input 2 ka rritje për (3.5%,) krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2023. Indeksi i inputit të përgjithshëm (Input 1 +Input 2) ka rënie për (-1,6 %) krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2023”, thuhet në njoftim.

Produktet të cilat e përbëjnë bazën për Indeksin e çmimit të inputeve sipas ASK-së janë të ndara në dy grupe kryesore: Mallrat dhe shërbimet aktualisht të konsumuara në bujqësi (Input 1) dhe Mallrat dhe shërbimet që kontribuojnë në investimet në bujqësi (Input 2).

“Brenda grupit të Mallrave dhe shërbimeve aktualisht të konsumuara në bujqësi, çmimet grumbullohen sipas grupeve në vijim: farëra dhe material mbëltues, energji; vajra, plehra dhe përmirësues të tokës, produkte për mbrojtjen e bimëve dhe pesticide, shpenzime për veterinari, lëndë për ushqimin e kafshëve, mirëmbajtja e materialeve, mirëmbajtja e ndërtesave, si dhe mallra dhe shërbime tjera. Sa i përket mallrave dhe shërbimeve që kontribuojnë në investimet bujqësore, çmimet grumbullohen për materiale (makineri dhe pajisje tjera), ndërtesat dhe tjera (ndërtesat jo-rezidente të fermës, punët tjera përveç përmirësimit të tokës)”, thuhet më tej në njoftimin e ASK-së./KosovaPress/