Ministria e Arsimit ka ngritur grupin e punës për ndryshimin e teksteve shkollore, duke synuar modernizimin e kurrikulës; që pritet të jetë në duart e nxënësve nga viti 2025 e në vijim.
“Jemi duke punuar dhe duke analizuar të gjithë tekstet aktuale, do punojmë deri në dhjetor për programet e reja mësimore për përmirësimin në masën 20% të kurrikulës që lidhet kryesisht me shkencat e degët shoqërore. Jemi duke vlerësuar edhe një modernizim të gjuhës shqipe dhe matematikës”, tha Ogerta Manastirliu- ministre Arsimi.

Reforma në kurrikula e ndërmarrë në 2014 në sistemin arsimor parauniversitar, e cila u bazua në nxitjen e mendimit kritik te nxënësit mbështetur në tekstet britanike, kërkon një përditësim, sipas ministres Ogerta Manastirliu me evolimin e kohës.

"Ndryshimet e mëdha teknologjike në lidhje me aftësitë digjitale, kreative, edukimin në disa lëndë që kërkohet të ketë një lidhje me çfarë sot koha kërkon, duhet një përmirësim i kurrikulës ekzistuese”, tha ajo.

Lënda e edukatës planifikohet të ketë një ristrukturim temash, duke shtuar edhe informacione të reja për nxënësit, lidhur edhe me çështje të luftës kundër korrupsionit.

“Edukimi qytetar një lëndë e rëndësishme ka nevojë të pasurohet me module të reja, por edhe të rishikohen konceptet ekzistuese duke përfshirë më shumë koncepte të thelluara sikurse janë për luftën kundër korrupsionit, për njohjen e terminologjisë ligjore apo aspekte që lidhen me çështje të integritetit, të cilat duhen thënë në mënyrë të thjeshtuar por të trajtohen edhe në orë mësimore debat. Edukimi mediatik është gjithashtu i rëndësishëm, e edukimi digjital apo bullizmi online e të tjera të tilla fenomene”, tha ministrja./TopChannel