Kancelari gjerman Olaf Scholz përshëndeti vizitën e planifikuar të presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan në Berlin këtë fundjavë për ndeshjen çerekfinale të "EURO 2024" ndërmjet Türkiyes dhe Holandës.
"Jam i kënaqur që presidenti turk do të realizojë vizitë, dhe, meqë ra fjala, shumë krerë shtetesh dhe qeverish, si dhe disa familje mbretërore, po vijnë këtu për ndeshjet", u tha Scholz gazetarëve në Berlin.
"Dhe ne përpiqemi të sigurojmë që përfaqësuesit e qeverisë gjermane të jenë gjithmonë të pranishëm, gjë që besoj se është gjithashtu një shenjë e madhe respekti, dhe ne po bëjmë maksimumin për këtë", tha Scholz duke shtuar se ai do të marrë pjesë në ndeshjen e çerekfinales mes Gjermanisë dhe Spanjës sot.
Pasi eliminoi Austrinë nga "EURO 2024" me rezultatin 2-1 në një ndeshje të raundit të një të tetës së finales të martën, Türkiye e udhëhequr nga Vincenzo Montella do të përballet me Holandën të shtunën në Berlin. Ndeshja çerekfinale në "Olympiastadion" do të fillojë në orën 21:00.
I pyetur nëse do të takohet me presidentin turk Erdoğan këtë fundjavë, kancelari Scholz tha se ndërsa ata komunikojnë shpesh, një takim do të ishte i vështirë për t'u realizuar për shkak të orarit të tyre të ngjeshur.
"Jam i kënaqur që presidenti Erdoğan po viziton Gjermaninë, që po ndjek ndeshjen e futbollit. Kam një shkëmbim të vazhdueshëm me presidentin turk, flasim shpesh në telefon, takohemi në takime ndërkombëtare", tha Scholz.
"Por, tani kjo është një kohë kur një numër i pabesueshëm i krerëve të shteteve dhe qeverive po vizitojnë Gjermaninë. Dhe nuk kam takim dypalësh me secilin lider, sigurisht, nëse nuk marrim pjesë në të njëjtën ndeshje", shtoi ai./aa