Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se kryeministri hungarez, Viktor Orban ka informuar NATO-n përpara vizitës së tij në Moskë, e cila u prit me një reagim të ashpër nga Bashkimi Evropian (BE) dhe se rezultatet e vizitës do të diskutohen në Samitin e Washingtonit që do të mbahet javën e ardhshme.
Stoltenberg mbajti konferencë për media para Samitit të NATO-s që do të mbahet në Washington më 9-11 korrik.
Kur u pyet për mendimin e tij për vizitën e diskutueshme të kryeministrit Orban të Hungarisë, e cila është anëtare e NATO-s dhe mban presidencën e radhës të BE-së, në Moskë për t'u takuar me presidentin rus Vladimir Putin, Stoltenberg tha: "Ai na informoi për vizitën e tij".
"Kryeministri Orban ishte në Moskë më parë dhe na informoi për vizitat e tij. Pasi u kthye, folëm për vizitat e tij. Shpresoj se nëse Orban është në Washington javën e ardhshme për Samitin e NATO-s, do të ketë mundësi për të diskutuar dhe trajtuar bisedimet që ai pati në Moskë. Kjo është diçka që ndodh rregullisht mes aleatëve", tha Stoltenberg.
Duke thënë se Hungaria ndan të njëjtin mendim me aleatët se Rusia është përgjegjëse për luftën në Ukrainë, Stoltenberg tha: "Sigurisht, Orban nuk përfaqëson NATO-n në këto takime, ai përfaqëson vendin e tij".
I pyetur nëse vizita e Orbanit në Moskë do të ndikonte negativisht në unitetin e Aleancës përpara Samitit të Washingtonit, Stoltenberg deklaroi se kishte besim se të gjithë aleatët do të mbanin edhe një herë një qëndrim për të dënuar luftën në Ukrainë dhe për të mbështetur integritetin territorial të këtij vendi.
Ai tha se Hungaria është zotuar qartë se nuk do të marrë pjesë në planet mbështetëse të NATO-s për Ukrainën, por nuk do ta pengojë atë. "Natyrisht, Hungaria do të vazhdojë të përmbushë të gjitha detyrimet e NATO-s dhe në të njëjtën kohë të paguajë pjesën e saj të buxhetit të financuar bashkërisht të NATO-s", thekson Stoltenberg./aa