Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, një grup mësuesish  zhvilluan një protestë para ministrisë së Arsimit dhe Sportit, duke kërkuar paga më të mira dhe përmirësim të kushteve të punës.

Me pankartën “Nuk ka arsim cilësor pa mësues të mirëpaguar”, arsimtarët marshuan nga Muzeu Kombëtar në drejtim të Ministrisë së Arsimit.

Protesta u organizua nga Sindikata e Pavarur e Arsimit dhe Federata e Sindikatave të Arsimit të cilët zgjodhën 1 Majin, për të parashtruar kërkesat e tyre për dyfishim të pagave.

Sipas tyre, kjo do të bëjë që profesioni i mësuesit të bëhet një profesion i kërkuar.

“Duhet dyfishim i pagave që profesioni i mësuesit të bëhet profesion i kërkuar nga maturantët. Degët e mësuesisë në Elbasan, Gjirokastër, Shkodër, Korçë janë mbyllur fare. Degët e Matematikës, Fizikës, Kimisë, Biologjisë është një numër i vogël i studentëve që është i pamjaftueshëm për të zëvendësuar mësuesit që dalin në pension. E ardhmja e mësimdhënësve lë shumë për të dëshiruar”, tha një përfaqësues i arsimtarëve.

Ata kërkuan rritje të buxhetit për arsimin, duke thënë se nuk mund të ketë kushte të mira pa një rritje të buxhetit.

“Ne kemi kërkuar që kryeministri të mbajë premtimin që buxheti për arsimin do jetë 5% e PBB. Kjo duhet zbatuar sa më shpejt të jetë e mundur, s’mund të ketë infrastrukturë, s’mund të ketë SMIP pa trajnuar mësuesit, s’mund të ketë laboratorë pa rritur buxhetin. Nëse s’do jetë 5% e PBB s’mund të ketë rritje pagash. Ne kërkojmë që profesioni i mësuesit të jetë i dëshiruar nga të rinjtë. Pa arsim cilësor s’mund të ketë të ardhme ky vend”, tha një përfaqësues i Sindikatës.

Mësuesit ngritën shqetësimin edhe për mbulimin e transportit, ndërsa kërkojnë edhe shpërblim në fund të vitit shkollor.

“E kemi përmirësuar udhëzimin për mbulimin e transportit, por mos të harrojmë se shuma që mësuesit paguajnë çdo ditë nuk përputhet me atë që i kompensohet. Pagesa përgjatë verës nuk jepet edhe përse mësuesit kërkohen për të plotësuar dokumentacionin. Një buxhet i domosdoshëm për shpërblimin e mësuesit në fund të vitit”, thanë mësuesit./ata