Është hapur Qendra e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike të Universitetit të Prishtinës "Hasan Prishtina".
Hapja e kësaj qendre u bë me një ceremoni ku mori pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari, përfaqësues të Universitetit "Hasan Prishtina", profesorë dhe studentë.
Në fjalën e tij, kryeministri Albin Kurti tha se qendra e re e inovacionit dhe ndërmarrësisë jo vetëm që do ta avancojë përvojën mësimore të studentëve, por edhe do të kontribuojë në zhvillimin e ideve biznesore, teknologjive dhe zgjidhjeve të cilat i adresojnë problemet reale të industrisë dhe ekonomisë.
"Qendra për Inovacion dhe Ndërmarrësi në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike do të shërbejë si nyje e rëndësishme e kreativitetit dhe e bashkëpunimit. Do të jetë një hapësirë ku iniciohen ide, ku sfidat përballen me zgjidhje inovative dhe ku kultivohet fryma e ndërmarrësisë", tha Kurti.
Ai theksoi se përmes kësaj qendre stafi akademik i fakultetit do të ketë kushte më të mira për punë kërkimore e shkencore dhe për të marrë pjesë në projekte dhe programe të Bashkimit Evropian.
Ministrja Rozeta Hajdari tha se qëllimi përfundimtar i këtij bashkëpunimi në mes MINT-it dhe Universitetit të Prishtinës është krijimi dhe zhvillimi i teknologjive duke lehtësuar absorbimin e njohurive të reja në teknologji që zhvillojnë idetë inovative.
"Kërkimi, zhvillimi dhe inovacioni janë shtytës kryesorë për zhvillim ekonomik, teknologjik e social, duke qenë kështu thelbësor për përparimin e një shoqërie në një ambient global të ndryshueshëm dhe gjithnjë në rritje", theksoi Hajdari.
Ajo shtoi se me politikat e MINT-it në përkrahjen e qendrave të inovacionit synohet transformimi i mënyrës së bërit biznes me orientim nga teknologjia moderne.
Në kuadër të kësaj qendre përfshihen disa laboratore dhe salla për edukimin dhe praktikën e studentëve./aa