Partia Socialiste depozitoi të hënën në Kuvend projektligjin me ndryshimet në Kodin Zgjedhor që i hapin rrugë votimit shqiptarëve nga jashtë vendit.

Votimi i Diasporës, sipas draftit ligjor të depozituar sot nga mazhoranca në Kuvend, do të administrohet dhe organizohet nga komisioni Qendror i Zgjedhjeve në të gjitha komponentët e tij.

Drafti ligjor ka shtatë nene, ku neni i fundit përcakton kohën kur ligji hynë në fuqi, çka parashikohet të ndodh pas botimit në fletoren zyrtare.

Në nenin 1 përcaktohet ndryshimet në kodin Zgjedhor, nenin 24, ku KQZ merr rolin kryesore në organizimin dhe mbikëqyrjen e procesit të votës së Diasporës.

“Komisioni Qendror  Zgjedhor udhëheq dhe mbikëqyr procesin për përgatitjen e kushteve dhe zbatimin e masave që mundësojnë votimin nga jashtë vendit në zgjedhjet për Kuvendin, për zgjedhësit që kanë vendbanimin e përhershëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Votimi nga jashtë vendit organizohet dhe administrohet nga KQZ-ja në të gjithë komponentët e tij, pasi Rregullatori të ketë miratuar të gjitha aktet nënligjore që kërkohen për votimin nga jashtë vendit, sipas këtij Kodi”, lexohet në draft/ligj.

“KQZ–ja duhet të marrë vendim për përfshirjen për herë të parë të votimit nga jashtë vendit në procedurat e zakonshme të votimit. Në zgjedhjet vijuese, votimi nga jashtë vendit bëhet automatikisht pjesë përbërëse e procedurave të votimit. Procedurat e detajuara të votimit nga jashtë vendit miratohen me akt normativ të KQZ-së brenda 60 ditësh nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji”, vijon projektligji.

Sa i takon listës së zgjedhësve nga jashtë vendit,  në draft ligjo parashikohen dhe modalitet mbi të cilat do hartohet.

Lista e zgjedhësve jashtë vendit është një listë e vetme në shkallë vendi dhe përmban listën e shtetasve shqiptare që janë të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile dhe kanë shprehur vullnetin të votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Regjistrimi i zgjedhësve jashtë vendit realizohet nga KQZ-ja. Procesi i hartimit të listës së zgjedhësve jashtë vendit fillon 100 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përfundon 50 ditë para kësaj date.

Sipas parashikimeve ligjore, lista e zgjedhësve pas përfundimit të procesit nuk ndryshon në asnjë rrethanë dhe për asnjë shkak pas afatit të parashikuar në këtë pikë. KQZ, 50 ditë përpara datës së zgjedhjeve, publikon listën e zgjedhësve që votojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Shtetasit shqiptarë që janë regjistruar në listën e zgjedhësve jashtë vendit, pas përfundimit të procedurës së regjistrimit sipas këtij neni, çregjistrohen nga lista e zgjedhësve brenda vendit.

Në ligj parashikohet dhe dokumentacioni i nevojshëm që duhet të ketë shtetasi shqiptarë që jeton jashtë vendit për tu regjistruar. “Dokumentacioni që kërkohet për të regjistruar vendbanimin e zgjedhësve që kanë shprehur vullnetin për të votuar nga jashtë vendit është i njëjtë me atë të parashikuar në ligjin “Për identifikimin e regjistrimin e adresës së shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”. Komisioneri dhe Ministri përgjegjës për gjendjen civile, brenda 60 ditësh nga hyrja në fuqi e këtij ligji, përcaktojnë me akt të përbashkët mënyrën e bashkëpunimit mes KQZ-së dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile për çregjistrimin e shtetasve që votojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë në listën e zgjedhësve brenda vendit, si dhe regjistrimin e adresës së tyre ne Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile.

Për votimi nga jashtë vendit, në pr/ligj saktësohet se: Votimi nga jashtë vendit quhet i çelur nga dita që KQZ-ja nis procedurat për dërgimin e dokumentacionit të votimit dhe dokumentacionit udhëzues në adresë të zgjedhësve nga jashtë vendit. Votimi nga jashtë vendit mbyllet në ditën e votimit, në orën e caktuar nga ky ligj për mbylljen e votimit në qendrat e votimit brenda vendit dhe vetëm kur zarfet me fletët e votimit mbërrijnë në këtë orar në adresën e KQZ-së. Me mbylljen e votimit nga jashtë vendit, KQZ-ja nuk mund të pranojë dhe përfshijë në numërim asnjë fletë votimi të mbërritur pas këtij orari.

KQZ-ja dërgon nëpërmjet shërbimit postar fletët e votimit dhe çdo material tjetër zgjedhor dhe informativ në adresën e deklaruar të vendbanimit të zgjedhësit sipas listës së zgjedhësve për votimin jashtë. Fleta e votimit është e njëjtë me fletën e votimit që përdoret brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.

Fletët e votimit të plotësuara dhe të sekretuara dërgohen në adresën zyrtare të KQZ-së, nëpërmjet shërbimit postar me shpenzimet e zgjedhësit.

Fletët e votimit të dërguara nga zgjedhësit jashtë vendit dhe të administruara numërohen në ambientet e KQZ-së. Fletët e votimit të dërguara nga zgjedhësit jashtë vendit në momentin e mbërritjes në KQZ ndahen sipas zonës zgjedhore të vendbanimit më të fundit të zgjedhësit para largimit nga Shqipëria. Procesi i numërimit dhe vlerësimit të tyre kryhet nga administrata e KQZ-së dhe tabelohen në tabelën e rezultateve të zonës zgjedhore përkatëse. Komisionieri përcakton me akt nënligjor dokumentacionin, mënyrën e plotësimit të tij dhe çdo aspekt tjetër për administrimin, numërimin, vlerësimin e votës dhe tabelimin e rezultatit zgjedhor sipas këtij neni.”

Sa i takon numërimit, në ligj saktësohet se për zgjedhjet për Kuvendin përjashtohen nga shpërndarja e mandateve partitë politike ose koalicionet që kanë marrë më pak se 1 përqind të votave të vlefshme në shkallë vendi.

Në fillim përfitojnë mandat kandidatët që kanë marrë një numër votash parapëlqyese më të madh se herësi i ndarjes së mandateve. Herësi i ndarjes së mandateve është numri që del nga pjesëtimi i numrit të votave të subjektit zgjedhor me numrin e mandateve të fituara nga subjekti përkatës sipas nenit 162 të këtij Kodi dhe pjesëtuar me 1.5. Në çdo rast, herësi i ndarjes së mandateve nuk mund të jetë më shumë se 7 000 vota. Në rast se herësi i ndarjes së mandateve që përfitohet nga pjesëtimi si më lart është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri i plotë më i afërt./ata