Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale u ftua nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), për të marrë pjesë në aktivitetin “Rritja e aksesit në informacion në Jordani: roli i institucioneve publike në zbatimin efektiv të kuadrit të ri rregullator”.
OECD vlerësoi autoritetin shqiptar për përvojën dhe standardet e larta në fushën e të drejtës për informim dhe për këtë arsye u përzgjodh së bashku me autoritetin spanjoll për të drejtën e informimit, për të ndarë eksperiencën dhe
praktikat më të mira në këtë fushë.
Aktiviteti u organizua nga OECD dhe Ministria e Kulturës e Këshilli i Informimit të Jordanisë, ku morën pjesë mbi 80 autoritete vendase me mbi 100 përfaqësues të nivelit të lartë nga institucionet qendrore si ministritë e institucione të tjera kyçe në vend.
Jordania ishte vendi i parë që miratoi një ligj për të drejtën e informimit në rajonin e Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore, ndërsa prej prillit 2024 e ka përmirësuar akoma edhe më shumë atë.
Zyra e Komisionerit prezantoi një panoramë të kuadrit ligjor për të drejtën e informimit, funksioneve monitoruese dhe mbikëqyrëse të autoritetit, instrumentin e programit të transparencës në kuadër të transparencës proaktive të organeve të sektorit publik, si dhe veprimtarinë ndërgjegjësuese me fokus, bashkëpunimin me shoqërinë civile dhe grupet e interesit.
Pjesëmarrja në këtë aktivitet është dëshmi e kapaciteteve në rritje të Zyrës, por edhe e vlerësimit nga organizata ndërkombëtare si OECD, duke e cilësuar Zyrën e Komisionerit si një prej autoriteteve që ka vendosur një prej praktikave më të mira ndërkombëtare në fushën e të drejtës për informim, për të konsoliduar edhe më shumë kulturën e transparencës për institucione publike të përgjegjshme./ata