Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, organizoi një tryezë diskutimi për të diskutuar për përmirësimin e administrimit të zgjedhjeve 2025.
Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të partive politike, të organizatave të shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare të përfshira në zgjedhje.
Objektivi kryesor i takimit ishte identifikimi dhe diskutimi i çështjeve që ndikojnë në administrimin e duhur të procesit zgjedhor 2025, të cilat, për momentin, duken më pak të mundshme për t’u trajtuar nga procesi i reformës zgjedhore në vazhdim.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi tha se qëllimi i këtij takimi është të hapim diskutimin në lidhje me çështje të cilat KQZ mund t’i adresojë në mënyrë të pavarur nga ndryshimet ligjore që do të bëjë Kuvendi i Shqipërisë.
“Kemi mjaft çështje që mund të diskutojmë, ka mjaft problematika që KQZ do të duhet t’i adresojë me qëllim që të përmirësojmë gjithë procesin e përgatitjes dhe administrimit të zgjedhjeve. Jemi dëshmitarë të problemeve të ndryshme që e karakterizojnë procesin zgjedhor në Shqipëri. Të gjitha çështjet problematike, do t’i listojmë dhe më pas të shkëmbejmë mendime për mënyrat dhe rrugët që KQZ do të duhet të ndjekë për t’i adresuar. Partitë politike, shoqëria civile dhe të gjitha palët e angazhuara në zgjedhje, janë të mirëpritura për ta nxitur dhe për të ndihmuar këtë nismë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në bashkëpunim me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri”, tha Celibashi.
Nga ana e tij, kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Michel Tarran, u bëri thirrje aktorëve politikë ta bëjnë reformën zgjedhore në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe në kohë, në mënyrë që t’u lejojnë organeve të administrimit të zgjedhjeve kohë të mjaftueshme për zbatim.
Pjesëmarrësit në takim diskutuan problematika të cilat kanë të bëjnë me ngritjen e një sistemi efektiv komunikimi ndërmjet KQZ-së dhe organeve ligjzbatuese, administrimin dhe vëzhgimin e proceseve të votimit dhe numërimi i votave në vendet e numërimit e votave. raportimi i institucioneve publike në KQZ, trajnimi i komisionerëve të niveleve më të ulëta, përdorimi i burimeve publike në fushatë, etj.
Përfaqësuesit nga parti të ndryshme dhe organizata të shoqërisë civile patën mundësinë të propozojnë masa të zbatueshme për të adresuar sfidat e identifikuara./ata