Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, çështjet e përbashkëta me Greqinë kërkojnë zgjidhje.

I pyetur në intervistë televizive për deklaratën e kryeministrit grek, Kyriakos Mictoaqis dhe si janë raportet me qeverinë, Rama tha se, “raportet me kryeministrin Micotaqis janë shumë të mira, në aspektin personal, janë shumë të mira”.

“Sa i përket roleve institucionale dihet që ka një ngërç, dihet se cili është ngërçi. Dhe kuptohet që mënyra sesi politika  greke e ka lexuar atë çështje dhe mënyra sesi e ka inflamuar në sytë e opinionit publik grek për konsum të brendshëm e bën  të vetvetishme edhe atë pastaj që reflektohet në marrëdhëniet mes dy qeverive”, u shpreh Rama.

“Në ndërkohë ne kemi pasur një nënshtresë në këto marrëdhënie kur gjërat kanë vazhduar të funksionojnë dhe të ecin normalisht”, tha kreu i qeverisë.

I pyetur për vizitat e mëparshme në Athinë ku u trajtua si star, ndërsa në këtë vizitë nuk u takua me autorietet greke, Rama tha se, “sot më mjafton dhe tepron, madje do mbetet e shënjuar në kujtesën time për gjithë jetën, që isha stari i shqiptarëve të Greqisë”.

Për raportet e mira me Greqinë në të shkuarën, Rama tha se, “raportet tona me Greqinë ishin në dukje më të mirat e mundshme, sepse politika dhe për fat të keq shteti shqiptar i kishte ulur pantallonat përballë politikës greke”.

“Duhet të ketë një arsye që sot jemi në një situatë tjetër”, tha Rama.

I pyetur nëse jemi në situatë konflikti, Rama tha se, “ne nuk jemi në situatë konflikti përsa na takon. Unë këtë e shoh si një konflikt të përjetuar si të tillë nga pala greke”.

I pyetur se çfarë zgjidhje do të ketë çështja Beleri, Rama u shpreh se, “nuk ka një çështje për ne me këtë emër. Çështjet e përbashkëta kërkojnë zgjidhje. Çështjet që e dimë të dy palët që ekzistojnë. Çështja e ligjit të luftës ekziston. Çështja e përcaktimit të kufijve detar është një çështje që ekziston, ne e dimë, ata e dinë. Çështja e përfundimit të procesit të pranimit të shqiptarëve si qytetarë të barabartë me të gjitha dokumentet e nevojshme, është një çështje që ekziston dhe ne e dimë. Për këtë çështje është bërë një përparim dhe kam bindjen që shumë shpejt shqiptarët e Greqisë, jo emigrantët, po janë shqiptarët e Greqisë do marrin atë që presin, besoj. Në këtë kuptim një çështje e mbetur pezull është një çështje e përbashkët”.

“Çështje pastaj që mund t’i krijojmë ne shqiptarët, Shqipëria ose Greqia, këto janë çështje për të cilat pala tjetër reciprokisht nuk është e detyruar që të ndjehet në ndonjë nevojë për të dhënë ndonjë zgjidhje”, tha Rama./ata