Prodhimi organik i bimëve aromatike dhe medicinale në Shqipëri përfaqëson një potencial të madh për eksport që rrit ekonominë e familjave në zonat rurale.

Kështu u shpreh ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, gjatë vizitës që zhvilloi në Qendrën e Transferimit të Teknologjive Bujqësore (QTTB) në Shkodër, ku 8 hektarë tokë, janë mbjellë me bimë aromatike dhe medicinale dhe rriten në kushte organike.

Denaj tha se, me ekspertët e fushës diskutuam mbi eksperimentin e bimëve medicinale në tokat e kripura, duke filluar nga identifikimi dhe analizimi i kultivarëve për të krijuar një mundësi të re për fermerët dhe për të hapur një rrugë të re eksporti.

“Analizat për bimët medicinale së shpejti do të realizohen nga ISUV duke u shkurtuar kohë fermerëve për dërgimin e prodhimit jashtë vendit dhe siguruar cilësi, siguri dhe rritjen e besueshmërisë në produktet made in Albanai”, u shpreh ministrja.

Denaj bëri të ditur se, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural është e angazhuar të mbështesë sektorin përmes Skemës Kombëtare dhe garantimin e sipërfaqes së mjaftueshme të tokës së kripur për të rritur prodhimin cilësor të bimëve aromatike dhe medicinale./ata