Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku mori pjesë sot në Konferencën e Nivelit të Lartë për Sigurinë Kibernetike në Ballkanin Perëndimor, organizuar në Tiranë, ku theksoi se “qeveria shqiptare e ka vendosur në fokus të veçantë zhvillimin digjital dhe mbrojtjen kibernetike, si një prioritet kombëtar në ofrimin e shërbime të sigurta në mbështetje të ekonomisë dhe qytetarëve të saj”.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Balluku theksoi se, “falë investimeve të ndërmarra dhe hapave të hedhur sipas standardeve më të mira europiane, Shqipëria është sot shembull i zhvillimit digjital në fushën ekonomike, që ofrosh më shumë se 99% të shërbimeve online, teksa mbetet prioritet zhvillimi i cyber security”.
Ministrja solli në vëmendje, situatën e sulmit kibernetik të sponsorizuar fuqimisht nga qeveri të vendeve të tjera, me të cilën u përball Shqipëria në 2022.
“Ai ka qenë një moment kyç për vendin tonë, për një vendimmarrje shumë të rëndësishme, ku në bashkëpunim me me partnerët ndërkombëtar i dhamë zgjidhjet e para, dhe sapo dolëm nga emergjenca e parë vendosëm që të nisnim një rrugëtim të mirëstudiuar për të forcuar cyber security, pasi dixhitalizimi nuk mund të ecë përpara pa pasur dhe antidotën e tij”, tha Balluku.
Në këtë kuadër vijoi ajo, ne forcuam Autoritetin Kombëtar të Sigurisë Kibernetike, ish AKCESK-u. Ngritëm një trupë ekspertësh, që u trajnuan, nga partnerët tanë, përafruam legjislacionin bazuar mbi zbatimin e standardeve të larta dhe praktikave më të mira të vendeve të zhvilluara.
Balluku tha se, “krijimi dhe ofrimi i shërbimeve të besueshme dhe të sigurta në mjedisin dixhital ndërkufitar për ne është një nga prioritetet qeveritare, prioritetet kombëtare, pasi e konsiderojmë Ballkanin Perëndimor si një të vetëm.
Sipas saj, integrimi dixhital me të gjithë komponentët e tij, ku nuk mungon bashkëpunimi në fushën e sigurisë kibernetike, është një nga shtyllat kryesore të këtij plani, Grouth Plan, të miratuar në nëntor të vitit 2020 në Samitin e Sofies dhe padyshim që mbetet si një nga drejtimet kryesore për planin e ri të CRM 2025-2028.
Balluku prezantoi hapat e ndërmarra nga Qeveria, nismat ligjore dhe teknike, për forcimin e sigurisë kibernetike, por edhe nevojën për një bashkëpunim edhe më të gjerë mes të gjitha vendeve për të qenë sa më të mbrojtur ndaj sulmeve dashakeqëse.
“Shqipëria është një nga vendet që ka bërë një progres të dukshëm në zhvillimin e infrastrukturës dixhitale dhe në ofrimin e shërbimeve publike elektronike. Shqipëria është ndër vendet e para që ka transpozuar direktivën e NIS2 të BE-së, duke rritur kërkesat për sigurinë e infrastrukturave kritike të informacionit dhe strukturave të rëndësishme të informacionit. Fusha e veprimit e ligjit për sigurinë kibernetike është zgjeruar duke përfshirë të gjithë gamën e infrastrukturave dixhitale sipas standardeve të BE-së. Është fuqizuar autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike dhe çka është më e rëndësishmja, AKCESK ka ngritur Qendrën Kombëtare Operacionale të Sigurisë Kibernetike e cila monitoron 24 orë në 7 ditë të javës një sërë infrastrukturash kritike, sipas listës”, deklaroi Balluku.
Gjithashtu informoi ajo, është investuar në rritjen e sigurisë së infrastrukturave dixhitale publike për të garantuar shërbime të sigurta. Është investuar në ngritjen e SOC për rritjen e ndërgjegjësimit. Ndërsa është miratuar ligji i ri për komunikimet elektronike, ku parashikohen dispozita për forcimin e sigurisë së rrjeteve të komunikimeve elektronike ku në veçanti parashikohen masa për garantimin e sigurisë së ofruesve, të furnizimeve gjithashtu.
Balluku shprehu angazhimin e Shqipërisë për të progresuar në axhendën e saj dixhitale dhe në procesin e integrimit europian për ndërtimin e rrjeteve të sigurta dhe të qëndrueshme që të sigurojë kështu ofrimin e shërbimeve të ndërveprueshme dhe të besueshme me përfitime për qytetarët në respektim të lirive dhe të drejtave themelore në mjedisin dixhital.
Ajo tha se, shkëmbimi i eksperiencave dhe njohurive mbeten elementë të rëndësishëm për të pasur sukses në këtë betejë.
“Siguria kibernetike kërkon angazhimin dhe bashkëpunimin e të gjithëve”, u shpreh Balluku./ata