Ekonomia shqiptare shënoi rritje të fortë në tremujorin e parë të vitit 2024, paralelisht edhe me rritjen e konsumit.
INSTAT publikoi raportin mbi Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB).
“Ekonomia në tremujorin e parë të vitit 2024 vlerësohet me rritje 3,63 % në terma realë, kundrejt tremujorit të parë të vitit 2023”, bën të ditur INSTAT.
Ndërtimi ka ndikuar në një të tretën e kësaj rritjeje, ndërsa ndikim pozitiv ka dhënë edhe rritja e pagave.
Sipas njoftimit të INSTAT kontribut pozitiv kanë dhënë degët: “Ndërtimi” me +1,19 pikë përqindje, “Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia” me +0.92 pikë përqindje, “Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor” me +0,76 pikë përqindje, “Aktivitete të pasurive të paluajtshme” me +0,36 pikë përqindje, “Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative” me +0.32 pikë përqindje, “Informacioni dhe Komunikacioni” me +0,06 pikë përqindje, “Aktivitete Financiare dhe të Sigurimit me +0,06 pikë përqindje, “Arte, argëtim dhe çlodhje; aktivitete të tjera shërbimi” me +0,05 pikë përqindje.
Negativisht kontribuoi grupi: “Bujqësi, Pyje dhe Peshkim” me -0,31 pikë përqindje, “Industri, Energji dhe Uji” me -0,15 pikë përqindje. “Taksat Neto mbi produktet” kontribuuan pozitivisht me +0,36 pikë përqindje.
Degët kryesore të ekonomisë, për tremujorin e parë të vitit 2024, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2023, ndërtimi shënoi rritje me 14,04%, i ndjekur nga grupi i aktiviteteve të “Administratës Publike, Arsimit dhe Shëndetësisë” i cili shënoi rritje 7,71%.
“Aktiviteti i Pasurive të Paluajtshme” ka shënuar një rritje prej 5,91%, grupi i “Aktiviteteve profesionale dhe Shërbime administrative” shënoi rritje 5,54%, grupi i aktiviteteve “Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor” pati një rritje prej 4,63%, “Aktiviteti Financiar dhe i Sigurimit” shënoi një rritje prej 2,83%, grupi i aktiviteteve “Informacioni dhe Komunikacioni” shënoi rritje prej 2,14% dhe grupi i aktiviteteve “Arte, argëtim dhe çlodhje, aktivitete të tjera shërbimi” pati rritje me 1,97%. Taksat Neto mbi produktet u rritën me 2,80%.
INSTAT bën të ditur se, në 3 mujorin e parë konsumi i popullatës u rrit me 3.7%./ata