Instituti i Statistikave në Shqipëri (INSTAT) ka publikuar të dhëna interesante mbi strukturën e banesave në Shqipëri.

Instituti i Statistikave në Shqipëri (INSTAT) organizoi të enjten seminarin për publikimin e rezultateve përfundimtare të Regjistrimit të Popullsisë dhe Banesave 2023 në nivel Qarku dhe Bashkie, ndërsa në këto publikime shfaqen të dhëna interesante mbi strukturën e banesave në Shqipëri.

Të dhënat gjatë procesit të regjistrimit të banesave tregojnë se një pjesë e mirë e godinave të ndërtuara për banim në Tiranë aktualisht janë bosh.

Afro 40 mijë hyrje të pallateve ishin bosh në Tiranë gjatë procesit të regjistrimit vitin e kaluar, ndërsa nga gjithsej 245.458 banesa (pallate dhe shtëpi individuale), 52.871 ishin bosh.

Të dhënat e detajuara të Cens 2023 që u publikuan tregojnë se Bashkinë e Tiranës u gjetën në kohën ku u zhvillua anketa, përkatësisht 39.765 hyrje në pallate bosh. Kjo shifër përbën 24 për qind të banesave në pallate në Tiranë, në një total prej 192.587.

Shqipëria, me 1.082.000 banesa

Sipas raportit, në gjithë Shqipërinë ka gjithsej 1 milionë e 82 mijë banesa. Një përqindje e konsiderueshme, rreth 47 për qind, përbëhet nga shtëpi individuale, që tregon një preferencë për jetesën në ambiente të veçanta. Ndërsa, 40 për qind e banesave janë në forma pallatesh, që reflekton një zhvillim urban në rritje. Pjesa tjetër e banesave, e cila përbën një grup më të vogël, kategorizohet si pjesërisht të veçuara, duke sugjeruar një përzierje të stilit të jetesës në zona të ndryshme. Këto të dhëna janë të rëndësishme për të kuptuar tendencat e zhvillimit të qyteteve dhe nevojat e popullsisë për strehim.

Nga 1 milion e 82 mijë banesa, vetëm 726 mijë janë të banuara, që tregon se ka një numër të madh banesash të zbrazëta, rreth 356 mijë.

Në seminar, i cili u mbajt në ambientet e Hotel Tirana, morën pjesë personalitete dhe përfaqësues të rëndësishëm, si z. Arbjan Mazniku, Ministër i Shtetit për Qeverisjen Vendore, përfaqësues të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, përfaqësues të Delegacionit Evropian, përfaqësues të bashkive të ndryshme, si dhe donatorë./TRT