Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, si institucion i parë shtetëror, publik e laik, mban për datë të themelimit të saj 10 korrikun e vitit 1920. Themelimi i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë ishte një nga vendimet e para të marra në Kongresin e Lushnjës, bashkë me shpalljen e Tiranës kryeqytet.
Koleksioni historik i BKSH i ka fillimet që në vitin 1917. Si bërthamë e saj shërbeu fondi i bibliotekës së Komisisë Letrare Shqipe, organizëm i përbashkët shqiptaro-austriak, krijuar në qytetin e Shkodrës në 1917. Në 1920 ky fond u vendos në Ministrinë e Arsimit në Tiranë. Më 10 dhjetor 1922 kishte një koleksion prej 6000 vëllimesh. Sot koleksioni i saj i kalon një milion vëllimet.
Koleksionet me karakter albanologjik u rritën pas Luftës së Dytë Botërore, kryesisht si rezultat i konfiskimit të disa librarive dhe koleksioneve private të personaliteteve të kulturës nga regjimi i atëhershëm komunist.
Ndryshimet demokratike të viteve ’90 të shekullit XX mundësuan edhe ndryshimin e politikave të Bibliotekës Kombëtare. Nga modeli i bibliotekave të Europës Lindore me kufizime të skajshme në dhënien e informacionit dhe shfrytëzimin e disa kategorive të caktuara të literaturës, tani BKSH është krejtësisht e hapur për publikun e gjerë.
BKSH është qendra arkivore e të gjitha botimeve duke mbledhur, përpunuar, restauruar, ruajtur dhe vënë në dispozicion të publikut trashëgiminë e shkruar kulturore të popullit shqiptar./ata