Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se shpallja e 11 korrikut si Ditë e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë është një veprim fisnik dhe i duhur në emër të Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka miratuar propozimin për shpalljen e 11 korrikut si Ditë të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.

Në kuadër të kësaj, seanca e sotme e qeverisë nisi me një minutë heshtje në nderim të viktimave të asaj ngjarjeje të rëndë të luftës në ish-Jugosllavi, e cila nxorri në pah ligësinë serbe deri në terror.

Kryeministri Kurti tha se shpallja e 11 korrikut si Ditë e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë është një veprim fisnik dhe i duhur në emër të Kosovës.

“Këtë vit festuam 25 vjetorin e çlirimit. Kujtojmë masakrat e bëra, kujtojmë viktimat e luftërave të viteve ’90. Ne kujtojmë 8,372 burra dhe djem nga Srebrenica që u vranë nga forcat serbe në masakrën më të madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore”, tha Kurti, i cili nga ana tjetër shmang arsyen thelbësore të asaj masakre, besimin islam të viktimave, ngjashëm si në rastin e Kosovës, ku ky detaj i dhunës serbe anashkalohet.

Ai shtoi se pas rezolutës në Parlamentin Evropian dhe rezolutës së miratuar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në maj të këtij viti, vendimi i qeverisë së Kosovës është një veprim fisnik dhe korrekt në emër të Kosovës dhe dëshirës sonë për drejtësi dhe paqe.

“Ne nuk do të harrojmë dhe lejojmë përsëritjen e gjenocidit në Srebrenicë, në Kosovë apo në rajonin tonë dhe kudo në botë”, tha Kurti.

Nga ana tjetër, ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç, tha se krimet dhe gjenocidi nuk duhet të përgjithësohen dhe të përkujtohen si një popull i tërë, por autorë individualë.

Në maj, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së caktoi 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e karakterizoi krimin në Srebrenicë në vitin 2007 si gjenocid. Pavarësisht kësaj, Beogradi dhe autoritetet e entitetit të Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë e mohojnë gjenocidin.

Forcat serbe në këtë rajon të Bosnjës dhe Hercegovinës lindore vranë më shumë se 8,000 burra dhe djem boshnjakë muslimanë në korrik 1995.

Më shumë se 50 persona u dënuan me rreth 700 vjet burg për gjenocid. Midis tyre janë presidenti i kohës së luftës i Republikës Srpska, Radovan Karaxhiç dhe komandanti suprem i ushtrisë jugosllave të atëhershme, Ratko Mlladiç. /tesheshi.com/