Liberalizimi i vizave për kosovarët duket se po ndikon negativisht në turizmin shqiptar. Kjo pasi i ashtuquajturi “turizëm patriotik” ia ka lënë vendin “turizmit liberal”. Kosovarët tashmë nuk janë të detyruar që të vijnë me patjetër në plazhet shqiptare “me detyrim/përcaktim”. Ata, në kushtet e heqjes së vizave, po rendin drejt eksperiencave të reja.

Thuhet kjo nga kreu i Shoqatës së Turizmit në Kosovë, Ruzhdi Kurtishaj.

“Viti 2024 ka lënë të kuptohet që nuk ka turizëm të qëndrueshëm për disa zona të Shqipërisë pa shqiptarët e Kosovës dhe liberalizimi i vizave ka bërë një ndryshim nga viti 2023.

Për dy dekada ne kemi qenë të izoluar nga bota për mundësinë e lëvizjen e lirë.

Ishte fat i mirë që liberalizimi u bë në janar dhe shumë shqiptarë të Kosovës plotësuan ëndrrën e tyre për të vizituar vendet e rajonit, siç është Greqia, për shkak se shumë prej nesh para 20 vitesh i kanë kaluar në Greqi dhe Bullgari”.

Por për Kurtishin nuk është vetëm kjo arsyeja.

“Megjithatë, unë nuk e kuptoj pse duhet të paguaj një pije që kushton 200 lekë në Durrës dhe 700 lekë në jug” tha ai, duke e vënë theksin te rritja drastike e çmimeve. /tesheshi.com/