Telefonat celularë do të ndalohen në klasat italiane me nisjen e vitit të ri shkollor, sipas një dekreti të lëshuar nga administrata e kryeministres Giorgia Meloni.
Dispozita u prezantua nga ministri i Arsimit, Giuseppe Valditara, një anëtar i partisë ”Lidhja e Veriut” dhe synon të ndalojë përdorimin e telefonave celularë në shkolla, përfshirë ato për qëllime arsimore.
Sidoqoftë, tabletat dhe kompjuterët laptop mund të përdoren me pëlqimin e mësuesve.
Ndalimi i telefonisë celulare synon të përmirësojë sjelljen e nxënësve.
Për më tepër, nxënësit e shkollës duhet të inkurajohen që të përmirësojnë aftësitë e tyre të të shkruarit.
Valditara njoftoi gjithashtu rifutjen e një “kalendari shkollor” në të cilin detyrat e shtëpisë duhet të shkruhen me dorë duke i lejuar prindërit të gjurmojnë arsimimin e fëmijëve të tyre.
“Ne duhet t’i mësojmë fëmijët tanë me stilolaps dhe letër përsëri”, theksoi ministri.
Ndalimi i celularëve në shkollat italiane ka disa vite që është në fuqi, por nuk është zbatuar gjerësisht.
Vende të tjera kanë prezantuar masa të ngjashme në vitet e fundit për të krijuar një mjedis më të mirë mësimor për nxënësit e shkollave./ata