Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Qendrën mbi Ekspertizën e Tranzicionit Ekonomik (CETEx – Centre for Economic Transition Expertise) në London School of Economics (LSE), organizoi në Tiranë një workshop me temë “Navigimi i Rreziqeve të Ndërlidhura: Ndikimet e Degradimit Mjedisor dhe Ndryshimeve Klimatike”.

Workshop-i mblodhi në një tryezë të përbashkët përfaqësues nga institucione kyçe publike dhe private në Shqipëri, ekspertë të shquar kombëtarë dhe ndërkombëtarë, politikbërës dhe ekonomistë, me qëllim kryesor përfshirjen e aktorëve të ndryshëm në një dialog mbi sfidat që paraqiten nga ndryshimi i klimës dhe implikimet e saj në ekonomi dhe financa.

Punimet e workshop-it u përshëndetën nga drejtori i Departamentit të Kërkimeve të Bankës së Shqipërisë, Altin Tanku, dhe drejtori i Tregjeve Monetare dhe Financiare në CETEx, Simon Dikau.

Zëvendësguvernatorja e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj paraqiti një pasqyrë të Strategjisë së Gjelbër të Bankës së Shqipërisë, të hartuar në bashkëpunim me Bankën Botërore, në linjë me objektivat globalë për një ekonomi dhe sisteme financiare të qëndrueshme.

Ahmetaj theksoi rëndësinë e rolit të sektorit financiar për një qasje të guximshme ndaj këtyre objektivave, duke mbështetur progresin teknologjik dhe inovacionin.

Kjo, sipas saj, kërkon së pari përfshirje të rreziqeve të ndryshimit të klimës në analizat e ekspozimit të sektorit financiar, duke e konsideruar stabilitetin financiar si parakusht për tranzicionin e gjelbër.

Në diskutime u theksua domosdoshmëria e përfshirjes aktive dhe koordinimit të gjithë aktorëve kombëtarë dhe ndërkombëtarë në adresimin e rreziqeve klimatike dhe mjedisore për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme.

Gjithashtu, u nënvizua rëndësia e shkëmbimit të praktikave më të mira dhe përkthimit të njohurive për t’i bërë ato të përdorshme nga të gjithë, në mënyrë që të orientojmë energjitë drejt zgjidhjeve më kreative dhe eficente./ata