Forcimi i kontrollit për rritjen e sigurisë ushqimore në tregje, ishte në fokus të takimit që zhvilloi sot, drejtori i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Edmond Rrushi me kryetaren e bashkisë së Lushnjës, Eriselda Sefa.

Rrushi tha se, “siguria ushqimore në tregjet e Lushnjës, plotësimi i kushteve higjieno-sanitare, kushteve frigoriferike për tregtimin e produkteve e origjinë shtazore, si dhe angazhimi për përmirësimin e infrastrukturës për krijimin e ambienteve për depozitimin dhe asgjësimin e substancave të rrezikshme, ishin disa nga temat kryesore që u diskutuan në këtë takim”.

Sipas tij, problematikë mbetet situata e shitësve ambulantë në Lushnjë, me tregtimin e peshkut në rrugë e trotuare.

“Shtimi i masave nga ana e bashkisë për shmangien e tregtimit të produkteve me origjinë shtazore në kushte ambulante dhe forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional, do të orientojë gjithnjë e më shumë konsumatorët drejt tregjeve dhe njësive të tregtimit që garantojnë sigurinë ushqimore”, tha Rrushi./ata