Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli dhe drejtori i përgjithshëm i Radio Televizionit Publik Shqiptar, Alfred Peza kanë firmosur një memorandum bashkëpunimi, që konsiston në një shërbim të përbashkët të të dy institucioneve në ndihmë të sportit dhe të promovimin të tij

Presidenti i KOKSH, Ylli me anë të këtij bashkëpunimi kërkon që RTSH të jetë partneri mediatik i KOKSH, jo vetëm për aktivitetet madhore, por edhe për të gjitha aktivitetet e tjera sportive olimpike, duke i bërë kështu një promovim dhe jehonë më të madhe Lëvizjes Olimpike në vendin tonë.

Edhe Drejtori i RTSH, Peza e ka vlerësuar këtë memorandum bashkëpunimi, si një hap të rëndësishëm për promovimin e vlerave më të mira të sportit, ndërsa ka veçuar punët e shkëlqyera që KOKSH ka bërë.

Gjatë takimit Ylli e njohu Pezën edhe me projektet dhe zhvillimet teknologjike të KOKSH, ndërsa u ndalën edhe te përgatitjet për Lojërat Olimpike që startojnë pas 2 javësh dhe ku Shqipëria do të përfaqësohet me 8 sportistë./ata