Në pritje të ndeshjes finale të Anglisë në "EURO 2024" kundër Spanjës, bizneset në gjithë vendin po bëjnë ndryshime të veçanta për t'i lejuar punonjësit të shijojnë lojën dhe të rikuperohen nga emocionet.

Ndeshja e shumëpritur, e planifikuar të fillojë në orën 20:00 me kohën lokale të dielën dhe potencialisht të zgjasë deri në orën 23:00 nëse shkon në penallti, ka nxitur disa kompani të ofrojnë përfundime të hershme të orarit dhe fillime të vona për punëtorët e tyre.

"Lidl", një nga sponsorët e turneut, njoftoi se do të hapë të gjitha dyqanet e saj në Angli një orë më vonë të hënën për të siguruar që stafi të mund të marrë pjesë në festimet pas ndeshjes. "Tesco" po akomodon gjithashtu punonjësit e saj duke mbyllur 1.800 dyqanet e saj Express në orën 19:30 të dielën, më herët se mbyllja e zakonshme në orën 22:00 ose 23:00.

Ky veprim është për të lejuar stafin të kthehet në shtëpi ose në pijetore në kohë për fillimin e ndeshjes, ndërsa ende do të marrin pagën e tyre normale për ato orë. Sainsbury's po ndjek gjithashtu shembullin, duke mbyllur herët dyqanet dhe stacionet e karburantit në gjithë Anglinë.

Kryeministri britanik Keir Starmer, duke folur në samitin e NATO-s në Washington, shprehu mbështetjen e tij për shënimin e rastit nëse Anglia fiton. Megjithatë, ai nuk konfirmoi një ditë shtesë feste, duke thënë: "Sigurisht duhet ta shënojmë rastin... Duhet ta shënojmë në një farë mënyre, por gjëja më e rëndësishme është ta kalojmë atë të dielën".

Starmer më herët kishte mbështetur thirrjet për një pushim shtesë nëse Anglia fitonte "EURO 2022" për femra dhe finalen e Kupës së Botës për femra, megjithëse vendimi ishte refuzuar nga qeveria konservatore për shkak të kostos së konsiderueshme./aa