Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta komentoi sot protestën e mbrëmshme të opozitës në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë.

Në një konferencë për shtyp, Meta u shpreh se “Berisha është kthyer në një simbol të opozitarizmit të pandalshëm, të përditshëm, të përnatshëm, falë izolimit kriminal nga Rama me veglat e tij në SPAK që i kanë bërë liderit demokrat”.

“Arsyet pse qytetarët ishin të shumtë në një ditë aq të nxehtë është për faktin se 1 milionë prej tyre janë përzënë nga Rama përmes spastrimit etnik nxitur nga Beogradi”, shtoi ai.

“Jemi të parët në Evropë për korrupsionin, varfërinë, për pagat më të ulëta e pensionet skandaloze, për numrin më të madh të të burgosurve brenda dhe jashtë vendit në raport me popullsisë”, tha më tej Meta.

Meta u shpreh se vendi ka nevojë për qeveri teknike dhe se duhet organizim shumë herë më i fuqishëm në të gjithë drejtimet për të imponuar këtë kërkesë.

“Jam absolutisht i bindur se vendi ka nevojë për qeveri teknike, mbështes plotësisht këtë objektiv të shpallur nga lideri i PD-së, Sali Berisha dhe unë jam shumë i bindur që do ta fitojmë këtë betejë sepse udhëhiqemi nga interesi kombëtar, parimet tona janë shumë të drejta dhe të shëndetshme, kanë të bëjnë me rikthimin e sovranitetit tek populli shqiptar. Na mbetet të organizohemi shumë herë më fuqishëm në të gjithë drejtimet, për të imponuar këtë kërkesë të drejtë”, tha Meta./ata