Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Pelelshi deklaroi sot për mediet pas mbledhjes së grupit se për mandatin e Olta Xhaçkës, nuk është diskutuar dhe nuk ka një vendim politik, por do të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.
“Diskutuam për nisjen e sezonit parlamentar, ky sesion i rëndësishëm edhe për zgjedhjet. Një interpelancë është kërkuar me kryeministrin Edi Rama. Një tjetër interpelancë me zv/kryeministren Balluku dhe pastaj agjenda është normale. Do jetë një interpelancë në zbatim të rregullores. Me shumë gjasë në përputhje me agjendën e vet Kryeministri do të jetë në seancë”, tha Peleshi.
I pyetur në lidhje me një vendim të grupit parlamentar për mandatin e deputetes socialiste Olta Xhaçka, Peleshi u shpreh se “ne jemi fokusuar tek detyrimi që kemi për ta zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese pa komente politike”.
“Këshilli i Legjislacionit me miratimin e të gjithë anëtarëve të majtë apo të djathtë ka kaluar në seancë për votim mocionin. Ndryshon vetëm gjuha mes dy raporteve. ne nuk duam të futemi në gjykime, por themi se mocioni i Gjykatës Kushtetuese do të futet në seancë për votim”.
“Vendimi i Kushtetueses, është bërë i njohur do lexohet nga çdo deputet dhe jo PS. Grupi i PS s’ka vendim politik, do votohet në seancë. Do i drejtohemi Venecias jo për këtë çështje, por duke u nisur nga kjo çështje, në parim për çdo situatë që mund të paraqitet në të ardhmen. Duam të dimë në parim se ku fillon dhe ku mbaron diskrecioni i deputetit ”, tha kreu i grupit të PS, Niko Peleshi.
“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk i trajtojmë si çështje politike. Do të kërkojmë mendim nga Komisioni i Venecias. Duam të kuptojmë kur nis e mbaron zbatueshmëria e vendimeve të GJK dhe se ku nis e mbaron vullneti i deputetit”, tha Peleshi./ata