Vendi ynë ka shënuar një rekord të ri turistësh të huaj në 6 muajt e parë të këtij viti. Që prej muajit janar, Shqipërinë e kanë vizituar në total 4.5 milionë turistë, rreth 1.2 milionë ose 34% më shumë se në gjysmën e parë të vitit 2023. Vetëm muaji qershor solli 1.2 milionë flukse hyrëse në vendin tonë ose 19,1% më tepër se qershori i vitit të kaluar.

Por nga cilat shtete kanë ardhur këta turistë?

Pavarësisht aludimeve të ditëve të fundit mbi një braktisje të mundshme të pushuesve nga Kosova, të dhënat më të fundit nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit kanë treguar të kundërtën.

Në gjysmën e parë të vitit rezulton se vendi ynë ka pritur 1.7 milionë shqiptarë nga Kosova, shifër që është rritur me 25% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku numri i pushuesve nga Kosova ishte 1.3 milionë.

Pas shqiptarëve të Kosovës të cilët kryesojnë listën, është regjistruar gjithashtu një numër i lartë turistësh nga Italia, rreth 486 mijë në total, 132 mijë turistë nga Anglia dhe 130 mijë nga Turqia. Ndërkohë në muajt e fundit vërehet një interes i shtuar i vizitorëve nga Kina, Franca, Rumania dhe Holanda. Shifrat tregojnë një rritje me 131% të vizitorëve nga Kina, 93% të turistëve francezë, si dhe 92% më shumë turistë rumunë dhe holandezë.

Nga ana tjetër, 50 mijë turistë kanë ardhur nga Serbia, 37 mijë nga Spanja, 103 mijë nga Polonia dhe 81 mijë nga SHBA-ja.

 

Së fundmi, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, është shprehur se tani jemi në periudhën e pikut të flukseve dhe të gjitha strukturat e shtetit që marrin pjesë në mbarëvajtjen e sezonit turistik veror vazhdojnë koordinimin në bashkëpunim me operatorët turistikë për prezantimin sa më dinjitoz të ofertës shqiptare.

Deri në fund të këtij viti pritet që Shqipëria të vizitohet nga 14 milionë turistë, rreth 4 milionë më shumë se në vitin e kaluar./Tema