Ndërsa ndërtimi vijoi rritjen në tremujorin e parë të vitit, transaksionet në tregun e pasurive të paluajtshme pësuan një ngërç.

Sipas shifrave të INSTAT tregu u rrit në masën 5.9%, kjo është zgjerimi më i dobët që pëson që nga viti 2011. Ndërkohë anketa e besimit konsumator të Bankës së Shqipërisë gjithashtu tregon se prej dy muajsh sektori shfaq shenja pesimizmi për transaksionet në të ardhmen.

Ndërsa nuk pranojnë rënien e çmimeve, ekspertët imobiliarë vlerësojnë se ngërçi i tregut ka ardhur prej disa faktorësh.

“Të gjithë ata që kanë një pronë për të shitur, sidomos kompanitë e ndërtimit duhet të kenë kujdes me çmimin, sepse çmimet e rritura pa arsye janë në dëm të tregut dhe krijojnë panik te blerësit. Ka rënë kërkesa për kategorinë e blerësve me pagesë të menjëhershme, por nga krahu tjetër është rritur shumë kërkesa për financim nga bankat e nivelit të dytë. Arsye tjetër mund të themi është fakti se kërkesa në këto dy muaj është spostuar në bregdet”, shprehet Erjon Alimema, agjent imobiliar.

Ndërkohë tregu këto kohë ka pasur një ngadalësim edhe për shkak të njoftimit të hyrjes në fuqi të ligjit të rivlerësimit të pasurive të paluajtshme me normën 3%

“Edhe lajmi që ka dalë dhe nuk po aplikohet edhe kjo ka krijuar një ngërç sepse të gjithë janë në pritje. Pjesa më e madhe e blerësve dhe sidomos në Tiranë, por edhe ata që investojnë në Tiranë kanë mundësi të financohen nga bankat e nivelit të dytë, të marrin një kredi dhe ta kenë një apartament dhe kjo e liron shumë tregun“, tha Erjon Alimema.

 

Aktualisht ligji për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme është depozituar, por nuk ka hyrë ende në punimet e Kuvendit. Fillimisht duhet të kalojë komisionet parlamentare për tu votuar më pas në seancë plenare./Tema