Afrimi i investimeve dhe rritja e shkëmbimeve tregtare me Mbretërinë e Arabisë Saudite është në fokus të Memorandumit të Mirëkuptimit për Krijimin e Këshillit të Përbashkët të Biznesit mes dy vendeve, të nënshkruar këtë javë mes dy vendeve në Tiranë.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, në një postim në rrjetet sociale thekson se nënshkrimi i Memorandumit të Bashkëpunimit këtë javës mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Arabisë Saudite, pritet të sjellë lehtësimin e zhvillimit të kontakteve, duke identifikuar partnerë potencialë, tregje të reja dhe mundësi për zgjerim, në koordinim me AIDA.
“Kënaqësi të përshëndesja dhe të mirëprisja delegacionin e gjerë të biznesit nga Mbretëria e Arabisë Saudite, në forumin e biznesit organizuar nga AIDA – Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve”, shkruan Gonxhja.
“Nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit për Krijimin e Këshillit të Përbashkët të Biznesit mes dy vendeve, do të sjellë lehtësimin e zhvillimit të kontakteve duke identifikuar partnerë potencialë, tregje të reja dhe mundësi për zgjerim, në koordinim me AIDA”, vijon Gonxhja.
“Shqipëria është e gatshme dhe e etur për të mirëpritur investimet dhe bashkëpunimet tregtare. Si MEKI, jemi të angazhuar plotësisht që të ndihmojmë investitorët në çdo mënyrë të mundshme për të eksploruar dhe ndjekur mundësitë e bashkëpunimit dhe investimeve në Shqipëri”, përfundoi Gonxhja.
Marrëveshja mes dy vendeve u nënshkrua nga Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë përfaqësuar nga Ines Muçostepa dhe Federata e Dhomës Saudite, përfaqësuar nga Hassan Al – Huwaizi.
Në takimin e përbashkët, organizuar nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, ishte pranishëm një delegacion prej 50 biznesmenësh nga Arabia Saudite, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, përfaqësi diplomatike dhe komuniteti i përbashkët i biznesit. Forumi i zhvilluar në Tiranë i kishte fokusin tek ndërlidhjet dhe urat e komunikimit për shkëmbime tregtare dhe lidhjeve të marrëdhënieve të biznesit, në të gjithë komponentët e saj, qoftë në eksport, import apo edhe çdo nevojë tjetër që i lind biznesit, tregtisë, bujqësisë, apo turizmit mes vendit tonë dhe Arabisë Saudite.