Kryetari i bashkisë së Shijakut, Elton Arbana reagoi sot ndaj akuzave të PD-së lidhur me shembjen e banesave të dëmtuara nga tërmeti i fortë që goditi vendin tonë mëngjesin e 26 nëntorit të 2019-ës.

Arbana tha se Shijaku ishte bashkia e parë që strehoi banorët e prekur nga tërmeti.

Një ditë më parë Partia Demokratike e akuzoi kryebashkiakun e Shijakut se ka prishur shtëpitë e banorëve, për të ndërtuar në atë vend një supermarket.

“Nuk ndalen titujt bombastikë me lajme të rreme edhe gjatë stinës së verës, parë me syrin për klikime. Po mbaron 2024 dhe shembjen për të rindërtuar Shijakun e kemi përfunduar që në 2020. Koha ecën, punët janë kryer, juve të PD-së aty ju ka mbetur ora! Ne jemi bashkia e parë që ka strehuar banorët e prekur nga tërmeti”, u shpreh ai në një postim në rrjetet sociale.

Sipas tij, e vërteta është se asgjë nga ajo që PD ka thënë, nuk është e vërtetë.

“Çdo leje ndërtimi, çdo hap i hedhur nga bashkia e Shijakut është në përputhje me legjislacionin dhe të gjitha hallkat që duhet për dhënien e lejeve janë zbatuar, sepse parimi i punës time të deritanishme është të jem i drejtë dhe të mos shkel mbi kompetencat e mia si kryebashkiak”, u shpreh ai.

Lidhur me rastin konkret, Arbana tha se godina është me tre kate 576 m².

Sipas tij, ka aktekspertizë të thelluar nga Instituti i Ndërtimit.
“Familja e F. K. kati i parë është njësi shërbimi. Kati i dytë ka një pjesë që përdoret njësi shërbimi dhe kati i tretë është banim. Nëse i referohemi VKM-së të përllogaritjes 576m²×320.250 lekë m² ×70%= 129 milion lekë të vjetra afërsisht. Kjo familje ka marrë 57milion lekë (të vjetra), sepse ka marrë 44%të shumës që duhet të merrte, pasi është vlerësuar vetëm sipërfaqa e banimit. Nga Instituti i Ndërtimit me akt vlerësim të thelluar është shpallur DS4 riparim, forcim”, u shpreh Arbana.

Rasti i Familjes RR. sipas tij, ka ndodhur për shkak të shpronësimit dhe vendi i është vënë në dispozicion FSHZH me shkresë zyrtare, meqënëse ky i fundit ka për të ndërtuar dhe 2 pallate në Shijak.
“Për shkak të implementimit të PDYV ka qënë dhe demolimi i banesave të tyre si detyrim ligjor. Kanë qënë disa qytetarë që janë prekur nga implementimi i PDYV. Ato nuk janë lënë të pastrehë, por kanë shtëpitë e tyre nga apartamentet e rindërtuara nga FSHZH me VKB”, theksoi ai.

Sa i takon mbetjeve, Arbana theksoi se ky kontinier është larg zonave të banuara mbi 500 metra me VKB, nga Drejtoria e Buqësisë e vërtetuar që nuk kalojnë ujëra të bardha.

“Sipas ligjit “Për vetëqeverisjen vendore”, duke parë situatën e krijuar të mbetjeve pas mbylljes së Porto Romanos, na duhej të merrnim masa paraprake dhe të përkohshme për të zgjidhur situatën e krijuar, që mos të linim mbetje nëpër kosha dhe tu krijonin hotspote”, shpjegoi kreu i bashkisë.

Në VKB është që pas zgjidhjes së situatës do të rehabilitohet zona dhe do të mbillen pemë.

“Për sa i takon familjeve të pastreha, jo 180 që thoni ju, por asnjë familje deri më tani nuk ka përfituar nga Programi i të pastrehëve”, deklaroi Arbana.

Për akuzat për shtëpitë, Arbana shpjegoi se leja nga KKT është e nevojshme nëse janë komplekse apo resorte.

“Në rastin tonë nuk kemi të bëjmë me një kompleks as resort, por vetëm me banesa individuale dhe këto janë ndërtuar pas rënies së tërmetit, kur nevoja për banesa ishte e madhe. Këto banesa individuale kanë lejen e miratuar nga institucioni përkatës (AZHT)dhe të gjitha institucionet e tjera”, tha ai.

Arbana mohoi të kishte supermarkete, vila apo tokë.
“Vazhdoj të jetoj me familjen time në banesën që kam pasur në pronësi që para se të zgjidhesha kryebashkiak.Ne vazhdojmë t’i shërbejmë të gjithë shijakasve njëlloj pa dallime politike, brenda të gjitha rregullave, ju vazhdoni të gënjeni në mes të ditës. Kjo është ajo që dini të bëni më mirë”, tha ai./ata