Presidenti i SHBA-së, Joe Biden u bëri thirrje amerikanëve të "qëndrojnë së bashku" të dielën pas atentatit ndaj ish-presidentit Donald Trump, duke thënë se politika nuk duhet të jetë kurrë një "fushë beteje".
"Ne nuk duhet të shkojmë në këtë rrugë që është ndjekur më parë gjatë historisë së SHBA", tha Biden nga Shtëpia e Bardhë. Duke iu referuar vrasjeve të presidentëve ai tha se dhuna nuk mund të jetë një zgjidhje duke synuar politikanët nga të dyja palët.
"Nuk ka vend për këtë lloj dhune në Amerikë, pa përjashtim. Ne nuk mund të lejojmë që kjo dhunë të normalizohet. E dini, sfera politike në këtë vend është ndezur shumë. Është koha për ta qetësuar atë. Të gjithë kemi përgjegjësi për këtë çështje", tha Biden.
- "Me afrimin e zgjedhjeve, të gjithë jemi përpara një prove"
Biden tha se zgjedhjet që do të mbahen në nëntor janë të rëndësishme për "të ardhmen e SHBA-së", por nënvizoi se të kesh pikëpamje të ndryshme për qeverisjen e vendit është pjesë e demokracisë. "Me afrimin e zgjedhjeve, ne të gjithë përballemi me një provë. Kjo vendos një barrë shtesë për secilin prej nesh për të siguruar që besimet tona, sado të forta qofshin, të mos kthehen kurrë në dhunë", tha ai.
Ai bëri thirrje për veprim në kutinë e votimit. "Në SHBA ne zgjidhim problemin e shkaktuar nga dallimet tona në kutinë e votimit. Këtë duhet ta bëjmë me kutinë e votimit, jo me plumba. Fuqia për të ndryshuar Amerikën duhet të jetë gjithmonë në duart e njerëzve, jo në duart e vrasësit", tha Biden.
Duke nënvizuar se "urrejtja" nuk ka vend në SHBA, Biden tha: "Asgjë nuk është më e rëndësishme për ne se uniteti tani. Ne mund ta bëjmë këtë".
- Tentativa për atentat ndaj Trumpit
Ish-presidenti amerikan Trump, i cili është kandidat për president nga Partia Republikane, u sulmua me armë teksa u drejtohej mbështetësve të tij nga podiumi në një tubim në Pensilvani.
Sipas raportimeve, Trump, i cili u plagos në veshin e djathtë, është në gjendje të mirë shëndetësore.
Në sulm u vra një person që merrte pjesë në tubim ndërsa 2 të tjerë u plagosën.
Shërbimi Sekret Amerikan njoftoi se sulmuesi, i cili qëlloi disa herë nga një vend i lartë jashtë zonës së tubimit drejt podiumit, u neutralizua.
Byroja Federale e Hetimeve të SHBA-së (FBI) tha se sulmi ishte atentat.
Pas hetimeve, FBI-ja tha se personi që tentoi të kryejë atentat dhe u vra në vendngjarje ishte 20-vjeçari Thomas Matthew Crooks./aa