Të paktën 8.600 persona janë evakuuar në zonat në rrezik nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut në Tajvan, për shkak të tajfunit "Kong-rey" i cili ka goditur Tajvanin.

Sipas lajmit të agjencisë tajvaneze CNA, Qendra e Operacioneve Emergjente (CEOC) njoftoi se 1.321 persona u vendosën në 71 strehimore emergjente në të gjithë Tajvanin.

Përderisa punimet e evakuimit vazhdojnë në qytetet Teipei i Ri, Tainan dhe Kaohsiung si dhe qarqet Hsinchu, Nantou, Pingtung, Yilan, Hualien dhe Taitung, deri më sot 8.600 persona janë evakuuar dhe transportuar në zonat e sigurta.

Si pasojë e tajfunit deri më tani janë plagosur 27 persona ndërsa nuk është raportuar për viktima.

Ndërkohë, raportohet se nuk mund të vendoset komunikimi me 2 turistë çekë që ndodheshin në parkun kombëtar Taroko.

 

- 153 mijë shtëpi pa energji elektrike

Erërat e forta dhe reshjet shkaktuan përmbytje dhe rrëshqitje dheu në të gjithë ishullin, duke dëmtuar shtëpitë, rrugët dhe infrastrukturën kritike.

Kompania e energjisë elektrike "Taiwan Power" raportoi se energjia elektrike u ndërpre në 153 mijë shtëpi në të gjithë ishullin për shkak të tajfunit "Kong-rey" ndërsa 63.500 shtëpi janë ende pa energji elektrike.

Qarqet lindore Taitung dhe Haulien më së shumti u ndikuan nga ndërprerjet e energjisë elektrike.

Përderisa 241 fluturime u anuluan në Aeroportin Ndërkombëtar të Tajvanit "Taoyuan", për shkak të tajfunit, kompania hekurudhore e Tajvanit njoftoi se ndaloi shërbimet e trenave në linjat lindore, perëndimore dhe jugore.

Në qendrën administrative të ishullit, Taipei, është ndërprerë mësimi si dhe është ndaluar shkuarja në vendet e punës.

 

- Tajfuni i 21-të në Paqësor këtë vit

Sipas Administratës Qendrore Meteorologjike, tajfuni "Kong-rey", i cili lëviz në drejtimin veri-veriperëndimor, 50 kilometra larg bregut të qarkut Taitung në bregun juglindor të Tajvanit, pritet të ndikojë vendbanimet në ishull deri në mbrëmjen e nesërme.

Gjithashtu thuhet se në provincën kineze Fuchien, që ndodhet në bregun përballë Tajvanit, shërbimet e trageteve dhe aktivitetet e ndërtimit në zonat bregdetare dhe zonat në det të hapur u ndaluan për shkak të tajfunit.

Në Fuchien dhe provincën në veri Zhejiang, pritet të rritet niveli i ujit në lumenj, ndërsa pushtetit vendor iu kërkua të rrisë masat e mbrojtjes nga përmbytjet.

"Kong-rey", i cili kishte erëra të qëndrueshme që arrijnë shpejtësinë prej 190 kilometrash në orë, u bë tajfuni i 21-të në Oqeanin e Paqësorit këtë vit./aa