Në kalendarin e OKB, data 15 korrik i kushtohet Ditës Botërore të Aftësive të Rinisë dhe tema e këtij viti është: Aftësitë e të rinjve për paqe dhe zhvillim.

Në vitin 2014, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara shpalli 15 korrikun si Ditën Botërore të Aftësive të Rinisë, për të kremtuar rëndësinë strategjike të pajisjes së të rinjve me aftësi për punësim, punë të denjë dhe sipërmarrje.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Antonio Guterres, tha se bota sot përballet me një mori sfidash, shumë prej të cilave prekin të rinjtë. Konfliktet e dhunshme që prishin arsimin dhe stabilitetin, një mjedis i polarizuar në internet që nxit negativitetin dhe pabarazia e vazhdueshme ekonomike kufizon mundësitë.

Këto çështje kërcënojnë jo vetëm të ardhmen individuale, por edhe stabilitetin e përgjithshëm të shoqërive, prandaj është thelbësore që të rinjtë të pajisen me aftësitë e nevojshme për të nxitur një kulturë paqeje, për të ushqyer qytetarë të përgjegjshëm globalë dhe për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm për të ndërtuar një të ardhme më të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme për të gjithë.

Sipas të dhënave të fundit në 15 vitet e ardhshme do të duhet të krijohen 600 milionë vende pune për të përmbushur nevojat për punësim të të rinjve.

Në kuadër të kësaj dite, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ndau një postim në rrjetet sociale, ku u shpreh se, në çdo shkollë dhe takim me nxënësit ka parë potencialin e jashtëzakonshëm të të rinjve, ndaj përkushtimi është maksimal për t’iu siguruar arsim cilësor dhe mundësi që ata të zhvillojnë kompetencat dhe aftësitë e tyre, si dhe të jenë të përgatitur për tregun e punës dhe sfidat e shekullit XXI./ata